Shefi i ri i CIMIC-ut italian të KFOR-it në BSHP vizitoi Klinën

Kosova

Shefi i ri i CIMIC-ut italian të KFOR-it në BSHP vizitoi Klinën

Më: 28 qershor 2017 Në ora: 14:48
Nënkolonel Marco Pertile sot është takuar me nënkryetarin e Komunës së Klinës, Enver Berisha

Shefi i ri i CIMIC-ut italian të KFOR-it në Batalionin Shumëkombësh Perëndim ( MNBG-W), nënkolonel Marco Pertile, sot është takuar me nënkryetarin e Komunës së Klinës, Enver Berisha, me të cilin ka biseduar për rrjedhat e përgjithshme në këtë komunë që është në zonën e sigurisë së paqeruajtësve italianë të KFOR-it. Takimi kishte qëllim njohës, ndërsa nënkryetari Berisha e ka njoftuar nënkolonelin italian të KFOR-it me zhvillimet në Komunën e Klinës, situatën e sigurisë dhe zhvillimet tjera. Berisha ka shprehur mirënjohje për punën që po bëjnë paqeruajtësit italianë në fushën e sigurisë dhe ndihmës për qytetarët edhe në fushat tjera. 

“KFOR-i përveç sigurisë, ka dhe po ndihmon qytetarët edhe në mirëqenien e qytetarëve, duke investuar në resorë të ndryshëm. Situata e sigurisë në Komunën e Klinës, ku ka ndodhur kthimi i parë urban i serbëve, është shumë e mirë  falë punës së policisë së Kosovës, pushtetit lokal dhe KFOR-it. Të gjitha komunitetet bashkëjetojnë pa asnjë problem. Komuna e Klinës shpreh përkushtimin për të bashkëpunuar me KFOR-in për të krijuar një ambient sa më të sigurt për gjithë qytetarët”, ka thënë Berisha, i cili ndër të tjera njoftoi se është duke u punuar në realizimin e mbi 20 projekteve në fusha të ndryshme. 

Në anën tjetër nënkoloneli italian, Pertile, tregoi se ka qenë edhe më parë me mision në Kosovë dhe nga atëherë Klina dhe Kosova ka ndryshuar shumë dhe se tashme Kosova ka gjetur rrugën e drejtë dhe po ecën me hapa të sigurt drejtë zhvillimit. Ai pohoi se KFOR-i- Zyra e CIMIC-ut do të vazhdojë rrugën e njëjtë të bashkëpunimit me institucionet lokale të Klinës dhe ka premtuar ndihmë edhe në projekte të mundshme në shëndetësi apo fusha tjera të nevojshme. “ Jemi të kënaqur me bashkëpunimin me Komunën e Klinës, po vërej se dalëngadalë gjërat po normalizohen. Mundësitë për të realizuar ndonjë projekt madhor janë më të kufizuara,  por do të bëjmë diçka në ketë drejtim. Siguria është misioni i ynë primar”, është shprehur nenkolonei italian, Marco Pertile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat