Hapet Shkolla Verore e BE-së, Apostolova: 272 studentë kanë përfituar nga grantet e financuara nga BE

Kosova

Hapet Shkolla Verore e BE-së, Apostolova: 272 studentë kanë përfituar nga grantet e financuara nga BE

Më: 3 korrik 2017 Në ora: 12:28
Pamje nga hapja e shkollës verore

Në Universitetin e Prishtinës ka filluar Shkolla Verore e Bashkimit Evropian ku çështjet e BE-së, ekonomia dhe politika, zbatimi i MSA-së dhe marrëdhëniet BE-Kosovë në përgjithësi do të jenë në qendër të programit pesë ditor.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se sistemi i arsimit është shtylla kryesore për një shtet që të ketë zhvillim ekonomik dhe politik.

Po ashtu, Apostolova tha se deri më tani 272 studentë kanë përfituar nga grantet e financuara nga BE-ja, të cilët kanë studiuar në shtetet e BE-së dhe po të njëjtët janë kthyer dhe kanë ndihmuar shtetin e Kosovës.

Apostolova: 272 studentë në Kosovë kanë përfituar nga grantet e financuara nga BE

“Deri tani, 272 studentë nga më të ndriturit në Kosovë kanë përfituar nga grantet e financuara nga BE, duke studiuar programet master në shtetet e BE-së. Këta studentë jo vetëm që sollën ekspertizën e fituar rishtazi, por ata a gjithashtu sollën edhe rrjetet  dhe ambiciet e tyre për të ndihmuar zhvillimin dhe përparimin e Kosovës”, tha ajo.

Apostolova tha se investimi në njerëz dhe në edukimin e tyre është investimi me i qëndrueshëm që dikush mund të bëjë.

Ministrja në detyrë e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, tha se integrimi në BE është pjesë e agjendës së Kosovës. Po ashtu, ajo tha se pavarësisht që Kosova vazhdon të mbetet e izoluar në aspektin e lirisë së lëvizjes, ka arritur të përfitojë në mënyra të ndryshme nga projektet e BE-së.

Ahmetaj: Projekti i BE-së është tregimi më i suksesshëm pas Luftës së Dytë Botërore

“Pavarësisht ‘backgroundit’ politik, religjionit apo etnisë, kjo paraqet një përgjegjësi shtesë për ne si qeveri, për të artikuluar angazhimin e njerëzve në një sukses dhe arritje për vendin tonë. Projekti i BE-së është tregimi më i suksesshëm pas Luftës së Dytë Botërore. Është një model jo vetëm në ruajtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë por edhe për zhvillimin ekonomik, lirinë e lëvizjes, të drejtat e njeriut, barazinë dhe sundimin e ligjit”, tha ajo.

Për më tepër Ahmetaj tha se studentët kosovarë kanë përfituar shumë nga projektet IPA dhe projekti Erasmus+.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se Universiteti i Prishtinës ka sjell kuadro të cilat kanë bërë transformimin e shoqërisë. Për më tepër, ai tha se Univesritetit të Prishtinës  në mënyrë gjeneralë ka prodhuar akademikë, shkencëtarë, gjuhëtar e artistë.

 Dema: Ne duhet t’i përgatisim studentët tanë për të respektuar rregullat

“Ne duhet t’i përgatisim studentët tanë për të respektuar rregullat, sepse ato nuk janë thjesht rregulla, ato janë vlera. Pra, nëse ne i përgatisim ata, siç tha Apostolova kur jemi tek investimi në edukim, rezultatet nuk mund të shihen menjëherë, pasi që ky është një proces”, tha Demaj.

Prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Teuta Pustina, tha se kjo shkollë verore është një mundësi ideale që studentët të zgjerojnë njohuritë e tyre.

Pustina: Kjo shkollë verore është një mundësi ideale për zgjeruar njohuritë

“Kjo shkollë verore është një mundësi ideale për zgjeruar njohuritë e juaja, për të mësuar për BE-në, në të cilën vendi ynë është i orientuar në mënyra të llojllojshme, dhe në fund iu do të jeni të pajisur dhe do të jeni të gatshëm  për tregun evropian, ku pa marrë parasysh nacionalitetin tuaj, kosovar, gjerman, francez apo Italian, ju do të jeni evropian dhe dija juaj e vlerësuar duhet të tregohet në këtë mjedis dinamik”, tha ajo.

Shkolla Verore e BE-së është organizuar bashkërisht nga projekti “Young Cell Scheme” i financuar nga BE-ja dhe “European Young Cells Alumni” (EYKA) me mbështetjen akademike dhe logjistike të Universitetit të Prishtinës në periudhën nga 3 deri më 7 korrik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat