OJQ KOHA jep dorëheqje nga Komisioni Komunal për Zgjedhjen e Këshillave Lokale në Klinë

Kosova

OJQ KOHA jep dorëheqje nga Komisioni Komunal për Zgjedhjen e Këshillave Lokale në Klinë

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 15:31
Komuna e Klinës

Organizata Jo Qeveritare KOHA ka dhënë dorëheqje nga Komisioni Komunal për Zgjedhjen e Këshillave Lokale në territorin e Komunës së Klinës.

Arsyet e dorëheqjes ndërlidhen me kontestimin e punës së OJQ KOHA-së nga organet e Komunës në kuadër të fillimit të procesit për zgjedhjen e katër këshillave lokale në territorin e Komunës së Klinës, edhe pse ky proces është mbështetur nga niveli qendror i qeverisjes, gjegjësisht nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e cila vlerson ligjshmerinë e akteve komunale. 

Angazhimi i OJQ KOHA-së, përmes një Marrëveshje Mirëkuptimi të nënshkruar me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka pasur për qëllim bashkëpunimin me Komisionin Komunal për Zgjedhjen e Këshillave Lokale për të lehtësuar zgjedhjen e këtyre këshillave, kurse iniciativa e së njëjtës organizatë, e kontestuar nga organet e Komunës së Klinës pa asnjë bazë ligjore, ka pasur për qëllim vetëm fillimin e këtij procesi. OJQ KOHA me rastin e fillimit të procesit ka njoftuar me kohë nënkryetarin e Komunës së Klinës, kryesuesin e Kuvendit Komunal, Komisionin Komunal për Zgjedhjen e Këshillave Lokale si dhe Drejtorinë e Arsimit e cila i ka vënë në dispozicion hapësirat shkollore për të zhvilluar procesin e zgjedhjeve. 

Kryetari i Komunës ka akuzuar OJQ KOHA-në për konflikt interesi financiar në këtë rast, duke aluduar në pagesën e stafit të organizatës për iniciativën në këtë proces. Megjithatë, stafi i OJQ KOHA-së nuk është kompensuar asnjëherë nga Komisioni Komunal për Zgjedhjen e Këshillave Lokale, pasi që i njëjti nuk ka qenë asjëherë funksional dhe nuk ka vepruar për të zbatuar rregulloren në bazë të së cilës është themeluar.

OJQ KOHA ka qenë gjithnjë e gatshme të bashkëpunojë me Komunën e Klinës dhe të japë kontributin e saj, edhe pa kompensim financiar, në të mirë të politikave publike në raste të një gatishmërie për bashkëpunim edhe nga kjo Komunë, mirëpo gjendja e krijuar i pamundëson organizatës të vazhdojë të jetë anëtare e Komisionit Komunal për Zgjedhjen e Këshillave Lokale.  

OJQ KOHA shpreh shqetësimin e saj me presionin e vazhdueshëm dhe reagimin e Ekzekutivit të Komunës së Klinës dhe disa këshilltarëve Komunalë, në këtë rast, për të kontestuar iniciativën e lartpërmendur që në hapat e parë dhe shpreh, po ashtu, shqetësimin e saj me zvarritjen e zbatimit të Rregullores Komunale për Zgjedhjen e Këshillave Lokale e cila do duhej të kishte filluar së zbatuari në pjesën e parë të vitit 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat