Nis rregullimi i shtretërve të lumenjve Drini i bardhë dhe Klina

Kosova

Nis rregullimi i shtretërve të lumenjve Drini i bardhë dhe Klina

Më: 7 korrik 2017 Në ora: 16:26
Nis rregullimi i shtretërve të lumenjve Drini i bardhë dhe Klina

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, tha sot se rregullimi i shtretërve të lumenjve Drini i Bardhë dhe Klina do të mundësojë evitimin e vërshimeve që kanë ndodhur në të kaluarën.

Ai këto komente i bëri në fillimin e punimeve në rregullimin e shtratit të lumit Drini i Bardhë dhe Klina, ku mori pjesë edhe ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala.

Me këtë rast u tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm që do të ndikojë në zhvillimin e turizmit. Sipas projektit të bashkëfinancuar nga Komuna e Klinës dhe MMPH-ja, planifikohet rregullimi i shtretërve të dy lumenjve që kalojnë nëpër qytetin e Klinës në gjatësi 1.6 km, për të cilin janë paraparë të investohen 410 mijë euro.

Pjesa e cila do të rregullohet fillon nga penda e fabrikës së ujit deri të “Ura e Haxhisë” në fshatin Zajm të Klinës.

Kryetari Bashota ka thënë se nga sot kjo pjesë do të merr një pamje shumë të bukur ku përveç kësaj do të evitohen vërshimet që kanë ndodhur në të kaluarën, si dhe do të jetë një zonë rekreative për qytetarët e Klinës.

Ai falënderoi ministrin në detyrë Shala për bashkëpunimin e treguar në realizimin e këtij projekti domethënës për Klinën.

Ndërsa, Shala, tha se punimet për rregullimin e shtretërve të lumenjve Drini i Bardhë dhe Klina janë projekte të financuara nga MMPH-ja në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Klinës, Sokol Bashota.

“Po fillojmë zbatimin e këtyre projekteve ngase ka shumë nevojë për rregullimin e shtretërve të lumenjve, evitimin e vërshimeve dhe rehabilitimin e atyre pjesëve që është e nevojshme”, tha ai.

Sipas tij, rehabilitimi i lumenjve të Klinës nënkupton premisa të jashtëzakonshme zhvillimore në sektorin e bujqësisë, turizmit dhe sektorë të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat