Importi i madh nga Serbia shtynë fermerët të heqin dorë nga mbjellja e grurit

Kosova

Importi i madh nga Serbia shtynë fermerët të heqin dorë nga mbjellja e grurit

Më: 8 korrik 2017 Në ora: 11:21
Ilustrim

Në këtë vit në tokat e Kosovës janë mbjellë 70 hektarë me grurë, 14 mijë ? më pak sesa vitin e kaluar.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë thënë se çdo vit këto sipërfaqe  janë duke u tkurrur për shkak të çmimit të ulët dhe sasisë së madhe të importit nga Serbia.

Drejtori i departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqi tha për kp  se sivjet janë rreth 70 mijë hektarë me grurë të mbjella ose 14 mijë hektarë më pak se vitin e kaluar.

Sipas tij, çmim i ulët për grurin po ndikon që fermerët të vazhdojnë edhe më tej t’i zvogëlojnë sipërfaqeve me këtë kulturë, mirëpo, Cikaqi theksoi se duhet shikuar mundësia  e rritjes së mbështetjes nga Ministria për fermerët, në mënyrën që ata të  stimulohen.

Çmimi për një kilogram grurë të prodhuar në Kosovë, kushton nga 0.10 deri në 0.14 centë.

Cikaqi: Nuk ka çmim të mirë të grurit e as kërkesë në treg

“Për fat jo të mirë vitin e kaluar nuk ka pasur çmim të mirë të grurit, njëkohësisht nuk ka pasur as kërkesë për treg... e kemi pritur që ka me pasur ulje të sipërfaqeve të mbjella me grurë, ashtu edhe ndodhi... Ministria e Bujqësisë ka vazhduar me politikat mbështetëse me të njëjtin drejtim, sepse nuk është që Ministria e la anash këtë sektor me mbështetje me subvencione ose me grante. Edhe për këtë vit kemi informacione se çmimi në bursë është i ulët dhe nëse kjo gjë përsëritet për disa vite me radhë normalisht se fermerët do t’i ulin sipërfaqet, por ministria e Bujqësisë ndoshta duhet me shikuar mundësinë për rritjen e mbështetjes për fermerët që mos të heqin dorë nga kjo kulturë ngase është kulturë strategjike”, tha Cikaqi.

Ai tha se në bazë të analizave dhe mostrave të para nga terreni, mesatarja e rendimenteve të grurit për sivjet pritet të jetë rreth 3500 kilogramë për hektarë.

Cikaqi: Rendimentet sivjet do të jenë rreth 3500-4600 për hektarë

“Sipas analizave që ne i kemi bërë gjendja e grunajave është e kënaqshme, ka parcela me grunaja shumë të mira, ka të cilat janë mesatare. Por, ka edhe parcela që janë të dobëta me zhvillueshmëri… Nuk pres që rendimenti me qenë shumë më i ulët, por nuk pres që me qenë edhe rendiment rekord mbi 4600 kilogramë. Mendoj se do të jetë diku rreth 3500-4600. Mirëpo është herët tash të flasim. Vitin e kaluar ishte 4140 kilogramë rendimenti mesatar i grurit, që ka qenë rendiment i kënaqshëm bazuar në rendimentet nëpër vite në Kosovë”, theksoi Cikaqi.

Cikaqi nuk ka treguar se a mund Kosova  t’i plotësojë  kërkesat me bukë nga arat, pasi që sipas tij, në fund të do të dalin me raport përfundimtar për kulturën e grurit.

Ai shtoi se sipas mostrave të para cilësia e grurit është e mirë dhe pesha e grurit sivjet është në suaza të normales.

Kryetari  i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri thotë se sipas raporteve nga terreni Kosova nuk ka më shumë se 50 mijë hektarë me drithëra të bardha.

Ai pret që kërkesat në treg me prodhimin vendor të plotësohen jo më shumë se 20-25 përqind. Tahiri përmendi se në këtë sezon do të ketë edhe rendimente më pak të grurit me cilësi jo të mirë për shkak të farërave të importuara jo cilësore.

Tahiri: Importi madh nga Serbia shtynë fermerët të heqin dorë nga prodhimtaria e grurit

“Janë diku 20-25 mijë hektarë më pak të mbjella dhe kjo për neve është jashtëzakonisht shqetësuese për shkak se në vende që Kosova do të duhej rritur sipërfaqet dhe rendimentet për t’i plotësuar nevojat e popullatës me grurë dhe ne për çdo vjet më shumë po bëhemi të varur prej importit... Konkurrenca jolojale e tregut pikërisht sjellja jo korrekte e mullisëve tanë, kur e them këtë e kam fjalën se mullisët importojnë grurë prej Serbisë me çmime jashtëzakonisht të ulëta me cilësi të dobët dhe nga rezervat e shtetit. Këtë grurë tregtarët tanë në këtë mënyrë furnizohen dhe i plotësojnë nevojat e Kosovës me bukë”, theksoi Tahiri.

Sipas tij, importuesit e mëdhenj të grurit po ndikojnë në uljen e çmimit të grurit vendor dhe kjo po shkakton bujqit e Kosovës të mos kenë leverdi, të cilët nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e prodhimtarisë së grurit.

Tahiri ka ngritur edhe çështjen e makinerisë së vjetruar për korrjen e grurit, ku sipas tij po shkaktohen humbje të mëdha të grurit nëpër ara dhe mesatarja e humbjeve ose derdhjes së drithit është rreth 20 përqind. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat