Për gjashtë muaj, 200 mijë shikues në Cineplexx

Kosova

Për gjashtë muaj, 200 mijë shikues në Cineplexx

Më: 9 korrik 2017 Në ora: 15:12
Cineplexx

Që nga nëntori i vitit të kaluar Cineplexx u ofron qytetarëve të Kosovës mundësinë e shikimit të filmave në teknologjinë më të lartë ‘Real D 3D’ dhe atë të zërimit ‘DolbyAtmos’.

Një investim prej 4.5 milionë euro u ofron qytetarëve gjashtë salla për të parë filma të ndryshëm që kjo kinema ofron për dashamirët e artit filmik.

Në gjashtë mujorin e parë Cineplexx ka pasur më shumë se 200 mijë shikues, e filmi i preferuar sipas zyrtarëve të Cineplexx-it ka qenë “Fast and Furious”. Ky film në Cineplexx ka pasur rreth 30 mijë shikues.

Drejtori menaxhues i kësaj kinemaje  Milazim Salihu, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se kjo kinema është pritur shumë mirë nga ana e qytetarëve të Kosovës, e që sipas tij dëshmi e kësaj janë rezultatet më të mira në rajon, ku vetëm për gjashtë mujorin e parë mbi 200 mijë shikues kanë parë filma në Cineplexx.

Salihu: Për gjashtë mujorin e parë mbi 200 mijë shikues

“Pas shumë peripecive dhe problemeve rreth Cineplexx-it më në fund u realizuar një ëndërr e mirë  pozitive për qytetarët, për rininë, që edhe Prishtina të jetë në rrjetin e kinemave Cineplexx dhe falë edhe ‘Albi-t’ i cili na mundësoji që në objektin e tyre të kemi hapësirën për Cineplexx-in dhe normal bordit të kompanisë i cili me pak më shumë rezerva për Prishtinën dhe Kosovën vendosi që të hyjë me produktin më të madhin të vetin shfaqjen e filmave dhe distribuimin e filmave. Në kuadër të Cineplexxi-it në ‘Albi’ janë  gjashtë salla të kinemasë me diku 850 ulëse. Është pritur mirë prej qytetarëve, janë dëshmi rezultatet më të mirat në rajon, mund të them që për gjashtë mujorin e parë mbi 200 mijë shikues që është shumë pozitiv edhe befasi për austriakët dhe gjithë ata dashamirë që nuk i kanë besuar këtij projekti”, tha  Salihu.

Si çelës për këtë sukses Salihu e përmend faktin që filmat e ri shfaqet në të njëjtën ditë sikurse në Vjenë, Zagreb, Beograd edhe në Prishtinë.

Një prurje e tillë nga Cineplexx ka qenë edhe filmi “Fast and Furious”, që ka rezultuar të thyej të gjitha rekordet jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Sipas Salihut  për këtë film kanë pasur rreth 30 mijë shikues.

Salihu: Fast and Furious i ka thyer të gjitha rekordet në rajon

“Për filmin ‘Fast and Furious’ diku 29 mijë e 700 shikues kanë qenë për ta parë atë film, vetëm në Kosovë për një film rreth 30 mijë shikues. Është filmi më i shikuar tash për tash në rajon dhe në Prishtinë”, tha ai.

Salihu, thotë se shikuesit e shumtë u kanë vërtetuar se edhe pse filmat shfaqen në faqe të ndryshme të internetit, filmi shijohet më se miri në kinema.

E biletat që Cineplexx ka vënë për filmat, sipas Salihut  janë bazuar në bazë të standardeve të jetesës në Kosovë. Sipas tij çmimi i biletave është prej 2.50 deri në 5 euro së bashku me pijet dhe gjësendet tjera që përdorën për ngrënie në kinema.

E menaxhuesit e Cineplexx-it planifikojnë që deri në vitin 2020 në Kosovë të krijojnë edhe tri pika të tjera në qytetet e Kosovës.

Salihu: Deri në 2020, besojmë që do t’i kemi dy tri pika tjera në Kosovë

“Po tash në projektet e Cineplexx-it është edhe rrjeti sa më shpejt do të bëhet rrjeti i kinemave në Kosovë, kërkojmë hapësira nëpër qendrat tjera në Kosovë por një hapësirë pak më ekskluzive po synojmë ta kemi edhe në Prishtinë në qytet edhe në të ardhmen jemi në negociata edhe me  disa qendra tregtare që do të hapen në të ardhmen në Kosovë deri në 2020, besojmë që do ti kemi dy tri pika tjera në Kosovë”, tha ai.

Kinemaja Cineplexx në ditët e para të hapjes është dëmtuar nga vizitorët por sipas Salihut kjo gjë nuk ka ndodhur më.

Cineplexx ofron edhe festimin e ditëlindjeve për më të vegjlit, ku fëmijët pasi të kenë parë film kanë edhe sallën e veçantë ku mund të vazhdojnë të festojnë së bashku me miqtë e tyre. Po ashtu kjo kinema ofron edhe shikimin e filmave në më shumë se një orar gjatë një dite.

Cineplexx në Kosovë operon me një staf prej 25 punëtorëve, ku këtu përfshihen stafi menaxherial, stafi shërbyes, bilateria, kinooperatorët, etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat