Ankesat në Supreme shtyjnë rinumërimin e votave të Prishtinës dhe Prizrenit

Kosova

Ankesat në Supreme shtyjnë rinumërimin e votave të Prishtinës dhe Prizrenit

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 16:16
ilustrim

Rinumërimi i votave të Prishtinës dhe Prizrenit nuk pritet të fillojë pa vendosur Gjykata Supreme për ankesat ndaj këtij rinumërimi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të fillojë rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Prizren për shkak të ankesave në Gjykatës Supreme ndaj vendimit të  PZAP-it për rinumërim të votave në këto komuna.

Ankesat janë bërë sot nga subjekti politik Vetëvendosje.

Kallxo mori vesh se KQZ-ja nuk do ta nisë rinumërimin pa një vendim të Supremes në lidhje me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rreth rinumërimit.

Kryetari  i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci e konfirmoi se kjo gjykatë ka pranuar për këto dy komuna dy ankesa nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një ankesë nga PDK-ja.

“Po i kemi pranuar ankesat për Prishtinë dhe Prizren. Po ashtu kemi një ankesë nga PDK-ja që për momentin nuk e di natyrën e saj”, tha kryetari Peci.

Peci tha se do të veprojnë konform Ligjit për Zgjedhje që specifikon afatin ligjor prej 72 orësh për përgjigje ndaj ankesave.

“Gjithqysh do të vendosim sepse duhet t’i përmbahemi këtij afati ligjor. Gjykata Supreme do të veprojë brenda afatit ligjor”, tha Peci.

Gjatë ditës, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje i janë drejtuar Gjykatës Supreme në lidhje me vendimin e PZAP-it për rinumërim të votave në Prishtinës dhe Prizren.

Pas dorëzimit të ankesës, nënkryetari i VV-së, Dardan Sejdiu tha se vendimet e PZAP-it kanë motive politike dhe janë fontanë dëshirash të LDK-së.

“PZAP-i ka marrë vendim në bazë të një subjekti politik LDK që Prishtinën ta dërgojë në rinumërim duke u bazuar në numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme siç thuhet aty dhe në numër të madh të fletëvotimeve të zbrazura.

Sejdiu më tutje deklaroi se numri i fletëvotimeve të pavlefshme në Prishtinë është më i vogli në historinë e zgjedhjeve në kryeqytet.

Që të dy këto pretendime nuk kanë bazë sepse numri i fletëvotimeve të pavlefshme është më i ulët ndonjëherë në historinë për Prishtinë ndërsa numri i fletëvotimeve të zbrazura sipas LDK-së ka qenë 473 e në fakt janë vetëm 32 fletëvotime”, tha Sejdiu.

Sejdiu tha se përmes këtyre ankesave, VV kërkon të anulohet vendimi i PZAP-it dhe të përfundojë sa më shpejt numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre të diasporës.

“Çdo ditë që këto vota qëndrojnë në korridoret e Qendrës së numërimit, çdo ditë rritet mundësia për manipulim. Çdo tentim për manipulim të votës së qytetarit ne do ta konsiderojmë si tentim për të bërë puç institucional”, tha Sejdiu.

Ai po ashtu tregoi se ankesë në Gjykatën Supreme Vetëvendosja ka dërguar edhe për rinumërim të votave në Prizren.

“Përsëri kemi një vendim të motivuar politikisht meqë edhe në Prizren nuk kemi të bëjmë fare me ndonjë parregullsi, sepse as vëzhguesit e as komisionarët, as DNV-ja dhe as vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kanë hasur në ndonjë parregullsi”, tha Sejdiu.

Rinumërimin në Prizren e kërkoi LDK-ja, ndërsa në Prizren PDK-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat