Plagjiatura nga stafi akademik të trajtohet nga mekanizma të veçantë

Kosova

Plagjiatura nga stafi akademik të trajtohet nga mekanizma të veçantë

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 14:27
Pamje nga konferenca e organizuar nga Këshilli i Evropës

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, ka shprehur gatishmërinë e MASHT për krijimin dhe forcimin e mekanizmave që parandalojnë korrupsionin në arsimin e lartë, duke thënë se forcimi i integritetit akademik kërkon vëmendje gjatë procesit të ngritjes akademike.

Ai këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës me temën “Forcimi i Integritetit dhe Lufta Kundër Korrupsionit në Arsimin e Lartë”, me theks të veçantë çështjen e Plagjiaturës.

“Integriteti akademik në arsimin e lartë mbetet një çështje e ndjeshme që lidhet drejtpërdrejt me kulturën e përgjithshme të formimit të personalitetit dhe padyshim është edhe çështje e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë akademike e profesionale e gjithë stafit në ALK”, tha Geci.

Ai theksoi se çështja e plagjiaturës nga stafi akademik duhet të trajtohet nga mekanizma të veçantë dhe se askush nuk duhet t’i shmanget një procesi të verifikimit të procesit të ngritjes akademike të stafit akademik në arsimin e lartë.

“Ne nuk mund të lejojmë që e ardhmja e fëmijëve tanë të mbetet në duar të personave me ngritje akademike të dyshimtë, andaj një verifikim do të ndante përfundimisht stafin akademik me integritet, nga ata që dëmtojnë çdo ditë cilësinë në arsimin e lartë në vend”,  tha Geci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat