Në gjykimin e imamëve përkthehet nga arabishtja ligjërata e të akuzuarit

Kosova

Në gjykimin e imamëve përkthehet nga arabishtja ligjërata e të akuzuarit

Më: 30 janar 2018 Në ora: 21:53
Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të imamëve

Në gjykimin e katër imamëve dhe të Fuad Ramiqit për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë, si dëshmitar i radhës u dëgjua përkthyesi Besim Mehmeti.

Mehmeti ishte ftuar që të dëshmonte në lidhje me një video-incizim të shkëputur nga një ligjëratë e Idriz Bilibanit me anë të së cilës Prokuroria pretendon se Bilibani ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Sa i përket video-incizimit, përkthyesi Besim Mehmeti tha se vetëm e ka përkthyer pasi që nuk është në pozitë që të komentojë rreth pikëpamjes fetare që përmban ajo ligjëratë.

“Nga aspekti fetar nuk jam kompetent, vetëm e kam përkthyer”, tha Mehmeti.

Më pas me kërkesën e palëve u lëshua që të dëgjohej ky video-incizim në të cilin shihej idriz Bilibani, i cili ishte duke mbajtur një ligjëratë në gjuhën arabe dhe afër tij Zeqirja Qazimi, i cili e përkthente këtë ligjëratë nga gjuha arabe në gjuhën shqipe.

Kujtojmë se Zeqirja Qazimi ish-imam në xhaminë “El-Kudus” ka qenë i akuzuar për rekrutim në terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes. Ai është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj e më pas edhe Gjykata Supreme ia ka vërtetuar dënimin e shqiptuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat