Kosova në 10 vjetorin e pavarësisë po e gjen arsimin me mjaft sfida

Kosova

Kosova në 10 vjetorin e pavarësisë po e gjen arsimin me mjaft sfida

Më: 20 shkurt 2018 Në ora: 11:24
Ilustrim

Sikurse në shumë fusha për dhjetë vjet Kosova pati sfida edhe në sektorin e arsimit. Problemet me rënie të cilësisë dhe digjitalizim, politizimi, eksperimentet dhe skandalet e shumta e kanë rënduar gjendjen e arsimit gjatë kësaj periudhe.

Këto probleme i evidentojnë edhe njohësit e arsimit në Kosovë.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci tha se në 10 vitet e fundit, që nga shpallja e pavarësisë, është shpërfaqur problemi më i madh që arsimi në Kosovë ka, e që është cilësia.

Pupovci: Problemi madhor që e ka arsimi në Kosovë është cilësia

“Në 10 vitet e fundit është shpërfaqur problemi madhor që e ka arsimi në Kosovë e kjo është cilësia. Kjo është shpërfaqur në të gjitha nivelet. E dimë se testi Pisa na tregoi se ku jemi në raport me vendet e tjera të botës... 1’41 Mendoj se mosbërja e reformave ka ndikuar në rënie të cilësisë sepse janë planifikuar reforma të cilat ose nuk kanë filluar fare ose nuk janë kryer si duhet. Pra njëra ndër to që po e shohim këtë vit është reforma kurrikulare. Kurrrikula e re e Kosovës, e cila është planifikuar që në vitin 2011, mirëpo mënyra sesi është zbatuar ka sjellë deri tek një huti në shkolla dhe tani raportohen vështirësi të shumta në zbatimin e saj. Pastaj një ndryshim tjetër që është bërë ka qenë decentralizimi i sistemit të arsimit, që ka qenë pjesë e Pakos të Ahtisarit dhe i cili mendoj se ka ndikuar në rënie të cilësisë për faktin se nuk është shoqëruar me mekanizma kontrollues dhe mekanizm a që nxisin përgjegjësi dhe llogaridhënie”, tha ai.

Sipas tij, gjatë dekadës së fundit, ka pasur edhe suksese. Kështu ai ka renditur pjesëmarrjen e vajzave dhe grupeve të margjinalizuara në arsim si arritjen më të madhe të kësaj periudhe.

Pupovci: Janë arritur suksese të dukshme në pjesëmarrjen në arsim

“Gjatë kësaj periudhe përveç kësaj janë arritur suksese të dukshme në pjesëmarrjen në arsim. Pra tani Kosova është thjesht e krahasueshme me çdo vend evropian sa i përket pjesëmarrjes në arsimin fillor dhe të mesëm. Ndërkaq ngecje ka pasur në edukimin parashkollor, ku përsëri është shënuar progres, por ne ngecim prapa të gjitha vendeve evropiane në këtë aspekt. Ndërkaq në fushën e arsimit të lartë kemi një pjesëmarrje mbase të tepruar, ku Kosova i kalon shumicën e vendeve evropiane nga pjesëmarrja në këtë nivel të arsimit”, tha ai.

Ndërsa kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për KosovaPress thekson se edhe ato reforma që janë bërë, nuk kanë pasur ndikim madhor pasi që duke qenë modele të huazaura jo gjithmonë kanë gjetur zbatueshmëri në Kosovë.

Jasharaj: Për të bërë reforma në arsim janë parakushtet

“Reformat janë bërë shpesh duke u munduar që ne t’i kopjojmë të tjerët mirëpo unë po them se për të bërë reforma në arsim janë parakushtet. Bie fjala të shikohet, mësimdhënësit e viteve të 90-ta, vet ajo kohë, por edhe mosha e tyre ka bërë që më vështirë të arrijnë të ecin në hap me kohën, pse jo, ndoshta ish dashur që një pjesë e tyre të pensionohen, por të kenë pension dinjitoz. Pse jo të punohet dhe të mirret propozimi i SBASHK-ut që mësimdhënësit që i kemi në shkollat tona, e që janë të sëmurë rëndë, qoftë nga kanceri dhe sëmundjet tjera, të pensionohen me një pension dinjitoz dhe në vend të tyre të vijnë kuadro të reja, të cilat edhe kanë arsimim bashkëkohor por edhe kanë ecur në hap me teknologjinë”, tha ai.

Sipas tij, në 10 vjetët e fundit Kosova u përballë me një mori eksperimentesh në fushën e arsimit. 

Jasharaj: Institucionet kanë bërë mjaft eksperimente me arsimin tonë

“Të themi të vërtetën, 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, kur po bëjmë një dekadë me pavarësinë dhe 17 vjet me lirinë e Kosovës, dua të them se vlerësojmë se që nga paslufta, por edhe në këto 10 vite, institucionet kanë bërë mjaft eksperimente me arsimin tonë, duke provuar modele të punës të shteteve shumë të zhvilluara dhe shpesh këto modele kanë bërë që të mos jenë shumë të zbatueshme në Kosovë”, u shpreh ai.

E Durim Jasharaj nga ORCA, duke kujtuar skandalet korruptive, thotë se ndërhyrja e partive politike në UP është problemi që e ka përshkruar këto 10 vjet arsimin në Kosovë.

Jashari:  Partititë politike kanë tentuar të çojnë agjenda në drejtime personale, partiake ose klanore

“Këto 10 vjet kemi lloj-lloj ngjarjesh që kanë ndodhur. Prej rastit të rektorit Mujë Rugova sidomos. Ne mbajmë mend fare mirë atë kohë kur ka qeverisur me Universitet Mujë Rugova. Ne dimë për skandalet e pafundme. Ne dimë për rastet korruptive që kanë ndodhur në atë kohë, që kulmuan me blerjen e çmimit për cilësi nëse e mbani mend. Por si duket, pasi që u largua ai, rastet që ndodhën në kohën e tij,  patën filluar të ndëshkohen në grupin e asistentëve të cilët çuditërisht u liruan për shkak se aktakuza ndaj tyre ishte keq. Kemi rastin e rektorit Ibrahim Gashi. Po i përmendi këto raste për të ilustruar një ndërhyrje të partive politike që kanë qeverisur me Kosovën, që përmes pozicioneve të caktuara në shoqëri, përmes pozicioneve të caktuara në shoqëri, kanë tentuar të çojnë agjenda në drejtime personale, partiake ose klanore”, tha ai.

Sipas tij, ky problem bën që të krijohen edhe probleme tjera të mëdha tek pjesa e stafit akademik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat