Avokati ‘i papërgatitur’ në rastin e lëndimit me kondak të revoles, shtyhet seanca

Kosova

Avokati ‘i papërgatitur’ në rastin e lëndimit me kondak të revoles, shtyhet seanca

Më: 27 shkurt 2018 Në ora: 15:04
Seancat gjyqesore

Një i akuzuar për posedim të armës dhe lëndim trupor u deklarua se nuk ndihet fajtor për akuzat e ngritura nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Në seancën e shqyrtimit kryesor dhe administrimit të provave, të mbajtur të martën në Prishtinë, Berat Tmava, mbrojtës me autorizim i të akuzuarit Besmir Bala, kërkoi nga trupi gjykues që ta shtyjë seancën për një ditë tjetër.

 

“Nuk kam pasur njohuri që kjo çështje është në fazën e shqyrtimit kryesor dhe në fazën e administrimit të provave. Mua si mbrojtës më duhet me u përgatit për këtë lëndë, pasi që nuk kam njohuri për shkresat e lëndës komplet”, tha avokati Tmava.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, pas konsultimeve me anëtarët e trupit gjykues, vendosi që seancën e radhës ta caktojë për 19 mars.

Besmir Bala akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprat penale të mbajtjes në pronësi, posedim, kontroll apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve si dhe për atë të lëndimit të rëndë trupor.

Sipas aktakuzës, më 6 shkurt 2012, rreth orës 18:30, në fshatin Rimanishtë të komunës së Prishtinës, kishte shtënë me armë zjarri dhe i kishte shkaktuar lëndim të rëndë trupor një personi.

Aktakuza thotë Besmir Bala e kishte takuar të dëmtuarin Megzon Rexha afër shtëpisë së tij, sapo ky i fundit kishte zbritur nga komibusi, për ta nxjerrë revolen me të cilën kishte shtënë dy herë “me qëllim të frikësimit dhe të kërcënimit të të dëmtuarit”.

Duke iu drejtuar me fjalët “kam me të vra”, aktakuza thotë se Bala i kishte shkaktuar Rexhës lëndime të rënda trupore duke e sulmuar me kondak të revoles disa herë në kokë, në pjesë të fytyrës dhe të gojës si dhe pjesë të tjera të trupit.

Nga ky incident, Megzon Rexha kishte marrë plagë ndrydhëse-shqyese në pjesën anësore të kokës, prapa veshit të majtë dhe thyerje të dhëmbit.

Që të dy, thotë aktakuza, kanë pasur një mosmarrëveshjeje të mëhershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat