Intensiteti i gripit sezonal në Kosovë po bie

Kosova

Intensiteti i gripit sezonal në Kosovë po bie

Më: 28 shkurt 2018 Në ora: 13:53
Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar intensitet konstant të rasteve të gripit sezonal.

Nga 01 tetori deri më 25 shkurt 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 49.343 raste të dyshimta në grip, 4454 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 89 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute).

Gjatë javës 08–të 2018 janë raportuar 4638 (25.2% më pak) raste të dyshimta në grip, 277 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 5 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute).

Në laboratoret e Qendrës Kombëtare të gripi, në Institutin Kombëtar prej fillimit të sezonit të gripit, 251 persona kanë rezultuar pozitive në Influencë. Sipas tipit, 105 raste janë pozitive në Influencën A dhe 146 në Influencën B. 26 raste i takojnë subtipit A(H1)pdm09 dhe 79 raste tjera janë A të pa subtipizuara. 146 raste të konfirmuara i takojnë tipit B, 48 prej tyre janë subtipi Yamagata (“Gripi
Japonez”).

Epidemia e gripit sezonal ka rënie të dukshme në intensitet. Instituti Kombëtar rekomandon qytetarët akoma të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë (sidomos në javën vijuese), të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familiar për të parandaluar komplikimet. Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon, Europë dhe botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat