Apeli përmbys vendimin e gjykatës për të akuzuarit për plagosjen në Drenas

Kosova

Apeli përmbys vendimin e gjykatës për të akuzuarit për plagosjen në Drenas

Më: 5 mars 2018 Në ora: 12:29
Drenas

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Skender Gjeli, Halil Topalli, Mendrit Topalli, Fadil Topalli, si dhe të miturit L.T., duke e kthyer në rivendosje aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit të dyshuarve të përfshirë në një incident në qendër të Drenasit më 17 shkurt ku 6 veta kishin mbetur të plagosur.

Lajmin për KALLXO e bëri të ditur Nasuf Hasani, avokat i të pandehurit Faton Topalli.

Sipas aktvendimit, Apeli ka gjetur se ankesat e avokatëve mbrojtës janë të bazuara me arsyetimin se aktvendimi i shkallës së parë ka pasur shkelje esenciale te dispozitave ligjore.

Deri te ky vendim i Apelit ka ardhur me arsyetimin se prokurori nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

“… pa cekur konkretisht se cilat janë arsyet mbi të cilat ekziston rreziku që të pandehurit po të gjenden në liri, do të mund të ikin apo të arratisen, për t’iu ikur përgjegjësisë penale si dhe pa cekur konkretisht shkaqet që merren parasysh, ardyet mbi të cilat ekziston rreziku që të pandehurit po të gjenden në liri do të mund të përsërisin veprën penale”, thuhet më tej në aktvendim.

Të pandehurit mbeten nën masën e paraburgimit deri në marrjen e një vendimi të ri.

Shkalla e parë i kishe caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Incidenti për të cilin po dyshohen shtatë personat ndodhi më 17 shkurt në qendër të Drenasit, rreth orës 16:30, ditën kur Kosova po shënonte 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

I pandehuri Skender Gjeli po përballet me dyshimet për veprën penale vrasje e rëndë në tentativë, derisa 6 të tjerët, Halit Topalli, Shaip Topalli, Fadil Topalli, Arbenit Topalli dhe i mituri L.T., me veprën penale lëndim i rëndë trupor.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë, Gjeli po dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Në kërkesën për masën e paraburgimit të cilën e kishte siguruar KALLXO.com, sipas arsyetimit të Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 17 shkurt, rreth orës 16:22, në rrugën “Xhevat Demaku”, në Drenas, saktësisht në udhëkryqin që lidhet me rrugët tjera, derisa të pandehurit Halit Topalli, Shaip Topalli, Mendrit Topalli, Fadil Topalli, Arbenit Topalli dhe L.T., kanë qenë duke lëvizur me veturat e tyre në drejtim të shtëpisë së shëndetit, i ka vërejtur Skender Gjeli dhe ka vrapuar disa metra pas veturës së funit të tipit “BMË”.

Më tej, prokuroria pretendon në atë moment janë ndalur të tri veturat, ndërsa i pandehuri Skender Gjeli me të arritur te xhami i derës së parë, të anës së djathtë, ka shtënë me revolen e tipit “Glock”.

Gjithnjë sipas kërkesës së prokurorisë, më pas të pandehurit Halit Topalli, Shaip Topalli, Mendrit Topalli, Fadil Topalli, Arbenit Topalli dhe i mituri L.T. kanë dalë nga tri veturat dhe e kanë sulmuar fizikisht të pandehurin Skender, duke e goditur me mjete të forta si shkopinj të drurit, shkopinj të metalit, shufër metalike të ngjashme me atë të Policisë.

Prokuroria thotë se gjatë përleshjes, i pandehuri Skender Gjeli disa herë kishte shtënë me armë në drejtim të të pandehurve tjerë.

Si rezultat i këtyre, Prokuroria pretendon se lëndime trupore me armë zjarri kanë pësuar të pandehurit Mendrit, Arbeniti, Fadili dhe L.T., derisa të pandehurit Shaip, Halit dhe Skender kanë pësuar lëndime trupore me mjete të forta.

Prokuroria pretendon se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që “ekziston rreziku i arratisjes, mund të ndikojnë në mbledhjen e provave apo te njëri tjetri, meqenëse asnjëri ende nuk është deklaruar në polici”.

Një arsye shtesë se përse prokuroria ka kërkuar paraburgimin e tyre është se të njëjtit kanë pasur edhe më herët mes vete konflikte të cilat janë të evidentuara edhe në stacion policor. Si rrjedhojë, ekziston rreziku që vepra e tentuar të përsëritet, apo edhe të përfundohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat