Kërkohet shkurtimi i përfitimeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë - Bota Sot
Kërkohet shkurtimi i përfitimeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë

Kosova

Kërkohet shkurtimi i përfitimeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë

Më: 7 mars 2018 Në ora: 12:31
Foto

Shumica e privilegjeve (në pagë, zyrë, staf, veturë, etj) janë pothuajse të njëjta në të gjitha vendet e rajonit, ndonëse dispozitat e disa vendeve përmbajnë variacione zgjidhjesh praktike.

Ngjashmëri vërehen edhe në garantimin e pensionit, zyrës e stafit për sigurimin fizik për periudhë të caktuar kohore. Kështu u tha gjatë dëgjimit publik, “Përfitimet për ish-zyrtarët e lartë”, në Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete në bashkëpunim me KDI-në, ku u diskutua për shkurtimet e mundshme të përfitimeve të benificioneve për disa kategori të pozitave të larta shtetërore.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu theksoi se ka ardhur koha për shkurtime të përfitimeve. “Ka ardhur koha që të shkurtohen disa përfitime të zyrtarëve të lartë shtetëror. Edhe ne kemi shumë ligje, të cilat e rregullojnë këtë fushë. Për mua më duket e pakuptueshme se si deputeti merr edhe pagë, edhe shtesa për komisionet dhe seancat. Sa i përket presidentit familja e tij ka të drejtë për sigurime shëndetësore, bursa për fëmijët... mendoj që kemi shumë përfitime për ish funksionarët e lartë dhe besoj që këto duhet të adresohen... Unë kam pasur vullnet që këto të adresohen e të ndërpriten dhe të përshtatet për rrethanat tona”, tha Haxhiu.

Ndërsa anëtari i këtij komisioni, Hajdar Beqa, tha se do të ishte mirë që deputetët të kenë mundësinë, pas përfundimit të punës si deputeët, të kenë mundësinë të kthehen në punën e mëparshme.

“Për të gjitha pozitat që u cekën, konsideroj se janë pozita të rëndësishme. Ne e kuptojmë buxhetin e konsoliduar të Qeverisë të Kosovës dhe është e pamundur të mbulohen përfitimet pas përfundimit të mandatit. Kjo kishte mundur të rregullohet me Ligjin mbi pagat”, tha ai.

“Çdo herë është menduar më shumë për popull se për vetveten. Në këtë situatë po e shoh një situatë alarmante. Ta bëjmë ndërrimin e legjislacionit në Kosovë. Është benifit të jesh sot deputet në Komunë, në Kuvend të Kosovës, sepse ke përfitime të panumërta, a në anën tjetër populli nuk ka qasje”, tha ai.

Visar Reshiti nga Demokracia Plus ka folur për përfitimet e zyrtarëve të lartë në vendet e rajonit, pas përfundimit të mandatit. Ai bëri të ditur se kanë trajtuar 11 pozita, duke përfshirë edhe në Kosovë. “Shohim se pozita e presidentit në shtete ka përfitime edhe pas përfundimit të mandatit, ish-kryeministri ka përfitime në të gjitha vendet. Rasti i Kroacisë më ka lënë shumë përshtypje pasi që iu jepet hapësirë atyre që e përfundojnë mandatin, të kthehen në punën e mëparshme. Në Shqipëri është një rast tjetër, ku secili prej tyre është i rregulluar me pension”, tha ai.

Ndryshe, vendet e analizuara janë: Kosova, Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia. Ndërsa pozitat që janë krahasuar janë: ajo e presidentit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, prokurorit të Shtetit, kryetarit të Gjykatës Supreme, drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës, ministrave, zëvendësministrave, pozita e deputetëve dhe këshilltarëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test