Haradinaj: Pa arsim cilësor nuk ka shtet të fortë - Bota Sot
Haradinaj: Pa arsim cilësor nuk ka shtet të fortë

Kosova

Haradinaj: Pa arsim cilësor nuk ka shtet të fortë

Më: 7 mars 2018 Në ora: 13:08
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e 7 Marsit- Ditës së Mësuesit, u ka premtuar mësimdhënësve se do të punojë për zbatimin e ligjit që njeh kontributin e tyre në vitet e nëntëdhjeta, duke thënë se një gjë e tillë nuk do të bëhet për hatër të votave, por në funksion të një arsimi sa më cilësor.

Ai tha se bashkëndjen me të gjithë ata që në kohë të vështira nuk e ndalën arsimin, duke lëshuar edhe shtëpitë e tyre për mbajtjen e mësimit.

“Na dhemb pozita e mësuesit, arsimtarit, profesorit, na dhemb infrastruktura. Nuk na vjen mirë për treguesit kur nuk janë të mirë, kush ka fëmijë e di se nuk ndjehet mirë kur fëmija na vlerësohet me notë të dobët. Nuk ka institucion që Aleanca e ka ngulfat, as shkarkim të ndonjë agjencioni. Por kemi bërë se po na dhemb gjendja. Po dëshirojmë t'i ndihmojmë vendit. Nuk kam me u ndal pa ju dhënë të drejtën të juaj të pensionit të stazhit. Ajo që ju takon. Nuk kemi me u ndal jo për hatër të votave, jo për agjenda, por po e dimë se pa shkollë të fortë nuk ka shtet të fortë”, është shprehur kryeministri Haradinaj.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka kritikuar institucionet e vendit se nuk kanë bërë sa duhet për ta dëshmuar respektin që meritojnë mësimdhënësit që kanë punuar në arsim në kohën e okupimit.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, duke uruar mësuesit për 7 marsin, tha se u janë mirënjohës mësuesve për jetë e mot për kontributin e dhënë në fushën e arsimit.

"Ju i mësuat gjeneratat për të bëmat e Skënderbeut, për Hasan Prishtinën e vëllezërit Frashëri. Jam këtu për të marrë energji të reja, që do të më ndihmojnë për të udhëhequr me dikasterin me të cilin udhëheq. Dua të ju siguroj se ministria do të jetë edhe shtëpia juaj, për ju dhe për këdo tjetër që ka nevojë", tha ai.

Fehmi Hysenaj, shef i kabinetit të ministrit të MASHT-it, ka vlerësuar rolin e rëndësishëm që kanë mësimdhënësit për edukimin e brezave në arsim, duke thënë se mësuesit ishin kyçur në luftën çlirimtare, prandaj profesioni i mësuesit është një mision shumë i rëndësishëm.

"Me të marrë detyrën ministri ka formuar komisionin për ligjin që njeh kontributin tuaj për vitet 90’-ta dhe ky ligj pret procedurat që të miratohet në Kuvend", tha ai.

Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim, ka potencuar mungesën e investimeve të nevojshme në arsim, duke thënë se mësimdhënësit nuk kanë kushtet e nevojshme për punë.

Ndryshe, me këtë rast SBASHK-u ka ndarë mirënjohje dhe nga një orë dorë për mësimdhënësit e pensionuar nga 7 marsi i vitit të kaluar e deri më sot.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test