Mbyllet panairi, pjesëmarrësit me vlerësime të ndryshme

Kosova

Mbyllet panairi, pjesëmarrësit me vlerësime të ndryshme

Më: 21 prill 2018 Në ora: 16:06
“Prishtina 2018”

Sot ka qenë dita e fundit e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018” i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), i cili ka nisur prej datës 18 prill 2018.

Pjesëmarrësit në këtë panair u shprehën  të kënaqur me interesimin dhe kushtet e ofruara në këtë panair tre ditor.

Refki Jakupi, menaxheri regjional i fabrikës së çokollatave “Kamila Chocolate”, për KosovaPress është shprehur i kënaqur me numri e vizitorëve që kanë shprehur interesim për produktet e tyre.

Jakupi: Kemi pasur shumë vizitor

“Jemi shumë të kënaqur, kemi pasur shumë vizitor, ne gjithmonë e përkrahim panairin e Odës Ekonomike, ka pasur vizitor prej të gjitha rajonet e Ballkanit, prej Maqedonisë, Shqipërisë, prej Serbisë. Janë të interesuar shumë. Kompani jonë i ka 86 për qind që bënë eksporti jashtë Kosovës, vetëm 14 për qind bëjmë në Kosovë. Fabrika jonë ka 100 punëtorë. Produktet tona veç i dinë njerëzit sepse i kemi në të gjitha pikat në Kosovë. Ka pasur të interesuar edhe për firmën tonë sepse kanë dëgjuar për “Kamila” se çfarë kualiteti kemi”, u shpreh ai.

Ai shtoi se janë të kënaqur shumë me kushtet e ofruara në këtë panair, dhe se përsëri do marrin pjesë vitin e ardhshëm.

Nga Italia për herë të parë në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2018” kanë marrë pjesë edhe kompania “Ëeighpack” dhe “Pietribasi”, ku kanë prezantuar makineri të ndryshme për mbushje.

Gerta Begaj, promovuese e këtyre dy produkteve ka deklaruar se janë të kënaqur me interesimin e vizitorëve kundrejt produkteve të tyre.

Ajo tha se ky panair ka qenë mundësi e mirë për promovimin e produkteve të tyre, derisa theksoi se do vazhdojnë të marrin pjesë përsëri në organizimin e radhës të këtij panairi

Begaj: Ka kushte të mira për promovim

“Kemi makineri të ndryshme për mbushje, mbushjen e qumështi, mbushjen e llojeve të ndryshme të lëngjeve, pluhur, edhe domethënë gaz...Jemi shumë të kënaqur ka pasur mjaftë interesim meqenëse për herë të parë jemi këtu edhe nuk ka shumë konkurrencë, domethënë është mjaftë i kënaqshëm interesimi nga ana e klientëve...Besoj që do marrim pjesë prapë edhe ka shumë kushte të mira për promovim”, u shpreh ajo.

Mbi 5 produkte të ndryshme në këtë panairi janë prezantuar edhe  nga  “Elkos Group”. Berat Ujkani, përfaqësues i kësaj kompanie tha se fal këtij panairi kanë shkëmbyer kontaktet me kompani të ndryshme rajonale për eksportimin e produkteve të tyre.

Ujkani: Interesimi ka qenë i madh

“Ne si eksportues i viti 2017 në këtë panair kemi marrë pjesë me 5 industri tona, fabrika e qeseve, edhe materialeve plastike, fabrika e palomave, fabrika e ushqimeve, fabrika e mishit gjithashtu, fabrika jonë në Xërxë që merret me konservim të pemëve dhe perimeve. Interesimi i pjesëmarrësve ka qenë shumë i madh, mundësitë për eksport gjithashtu veç kemi ndërtuar kontakte për eksport në shtete të ndryshme të rajonit dhe botës”, ka deklaruar Ujkani.

Përfaqësuesi i kompanisë “Elkos Group”  u shpreh se kushtet në këtë panair kanë qenë solide.

Mirëpo jo shumtë të kënaqur me interesimin e vizitorëve për panairin janë shprehur përfaqësuesit e fabrikës së detergjenteve “City”.

 Leureta Gashi, drejtoreshë e shitjes në këtë kompani tha se mungesa e  informacioneve për mbajtjen e këtij panairi ka ndikuar edhe në numrin e vogël të vizitorëve.

Ajo shton se ky panair nuk po bën sa duhet për promovimin e prodhimeve vendore.

Gashi: Jemi të kënaqur deri diku

“Ne kemi prezantuar produkte higjienike, ku jemi ne prodhues këtu, ku prodhojmë 330 barkode...Jemi të kënaqur deri diku, për arsye se në panair nuk ka shumë informacione që është duke u mbajtur panairi ajo ndoshta ka ndikuar në pjesëmarrjen jo shumë të madhe të konsumatorëve. Planifikojmë të marrim pjesë prapë, kushtet nuk janë edhe shumë të këqija por jo sa duhet me i përkrahë prodhimet vendore”, u shpreh Gashi.

Ndryshe, në këtë panair kanë marr pjesë gjithsej 174 kompani, prej tyre 70 janë nga Serbia dhe vetëm një nga Shqipëria.

Panairi ka qenë i hapur nga 18 prilli 2018 deri më sot, ndërsa prezenca e madhe e kompanive serbe në këtë panair ka ngjallur reagime të shumta nga përfaqësuesit e bizneseve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat