Kosova me shkallë të lartë të vaksinimit

Kosova

Kosova me shkallë të lartë të vaksinimit

Më: 24 prill 2018 Në ora: 12:52
Me rastin e fillimit të “Javës së Imunizimit 2018 “ i cili këtë vit mban moton “Të mbrojtur së bashku, vaksinat veprojnë“

Programi i zgjeruar i imunizimit në Kosovë përmes vaksinimit është zhvilluar suksesshëm, mirëpo sfidë mbetet imunizimi te komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian.

Programi i zgjeruar i  imunizimit në Kosovë përmes vaksinimit është zhvilluar suksesshëm, mirëpo sfidë mbetet imunizimi te komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian.

Kështu u tha me rastin e fillimit të “Javës së Imunizimit 2018 “ i cili këtë vit mban  moton “Të mbrojtur së bashku, vaksinat veprojnë“, që organizohen nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), dhe UNICEFI-in.

Zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Rrustem Musa tha se programi i zgjeruar i imunizimit mbetet me prioritet për kwtw ministri, e cila ka miratuar politikat e imunizimit dhe planet për sigurimin e vaksinave.

Musa tutje tha se objektiv mbetet rritja e shkallës së vaksinimit të rregullt te grup moshat zero deri në 12 muaj, derisa shtoi se në Kosovë rreth 95 për qind janë të vaksinuar.

Musa: Objektiv kryesor mbetet vaksinimi i rregullt

“Për të zvogëluar shkallën e sëmundjeve dhe vdekshmërisë objektivi kryesor i programit të zgjeruar të imunizimit  është rritja e shkallës së lartë të përfshirjes  në vaksinim të rregullt  sidomos të fëmijëve të grup moshave 0 deri 12 muaj. Viteve të kaluara përfshirja në imunizim në Kosovë është ngritur në 96 për qind, është përfshirje e lartë, dhe që na bënë të radhitemi në mes shteteve më të suksesshme në botë. Ne po realizojmë me plot sukses edhe programet e veçanta të përfshirjes së fëmijëve të komunitetit romë , ashkali, egjiptian dhe serb në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pa vaksinim”, tha ai.

Drejtori i Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike (IKSHPK), Naser Ramadani tha se ky program është duke u zbatuar me sukses.

Ramadani tutje shtoi se falw përqindjes së lartë të vaksinimit vitin e kaluar kanë arritur që ta parandalojnë fruthin, derisa si sfidë theksoi vaksinim e komunitetit RAE.

Ramdani: Viti e kaluar kemi arritur të ndalim epideminë e fruthit

“Suksesi i madh është se edhe këtë vit edhe vitin e kaluar që kemi pasur epideminë e fruthit e cila është menaxhuar për mrekulli duke pasur parasysh se mbi 96 për qind e fëmijëve në tërë territorin e Kosovës kanë qenë të vaksinuar dhe nuk kanë pasur kurrfarë rreziku të sëmuren nga fruthi. 5 për qind nga ta, një përqindje e tyre e komunitetit romë, egjiptian dhe ashkali të cilët fatkeqësisht ka pasur problem administrative të mos regjistrimit dhe mos gjetjes të adresave të tyre, edhe pse shumica e ekipeve në terren i kanë gjetur dhe kanë shkuar shtëpi në shtëpi që t’i vaksinojmë, prapë kemi arritur një rezultat inkurajues që të ndërprejmë epideminë e fruthit”, u shpreh Ramadani.

E shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co theksoi se Java e Imunizimit ka për qëllim të sensibilizojw qytetarët për mbrojtjen përmes vaksinimit.

Tutje ai i ka propozuar Ministrisë së  Shëndetësisë që të krijojë një plan strategjik që u adresohet komuniteteve me qëllim të përfshirjes së tyre në planin e zgjerimit të imunizimit.

Co: Propozojmë një plan për përfshirjen e grupeve të cenueshme

 “Në Kosovë siç e dini është lajmi i mirë se kemi përfshirje të lartë vaksinimit, dhe dëshiroj që ta përgëzoj Ministrinë e Shëndetësisë për këtë, megjithatë e dimë se përfshirja në imunizim tek grupet e cenueshme është më e ulët dhe në këtë rast po flasim për komunitetit romë , ashkali dhe egjiptian . Ne dimë se vitin e kaluar raste e fruthit, shumica e këtyre rasteve kanë qenë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian . Ne propozojmë që Ministria e Shëndetësisë të ketë një plan specifik për me i adresuar këto grupe të cenueshme. Duke e pasur këtë plan specifik i cili i adreson grupet më të cenueshme përmes kësaj mënyre kontribuojmë edhe në programin e përgjithshëm të imunizimit”, ka deklaruar  shefi i zyrës së UNICEF-it.

Ndërsa, zyrtarja ndërlidhëse e zyrës së OBSH-së, Ardita Tahirukaj ka bërë të ditur se Kosova është në mesin e 42 vendeve që kanë ndërprerë me sukses përhapjen e endemike të fruthit.

Tahirukaj: Kosova ka shkallë të lartë të vaksinimit

 “E vetmja mënyrë për tu siguruar se këto sëmundje të mos qarkullojnë dhe të prekin më të ndjeshmit, është duke vaksinuar plotësisht të paktën 95 për qind të fëmijëve dhe të rriturve në komunitet. Kosova është në mesin e 42 vendeve që në fakt ka ndërprerë me sukses përhapjen endemike të fruthit duke qenë se për 15 vite me radhë nuk ka pasur raste të fruthit. Kosova ka një shkallë të lartë të vaksinimit, shkalla e vaksinimit me vaksinën e fruthit  dhe rubeolës e ka arritur 95 për qind pas rrethit të fundit të vaksinimit”, u shpreh Tahirukaj.

Tutje ajo tha se OBSH është duke punuar me institucionet e Kosovës për të ndalur fruthin dhe sëmundjet e tjera të parandalueshme nga vaksinat.

Në ditën e parë të“ Javës së Imunizimit 2018” u ndanë edhe mirënjohje për stafin mjekësore që bënë dhënien e vaksinimit  në nivelin komunal dhe disa nga ta janë: Rejhane Zhushi, Flora Reshani, Ibadete Gashi, Fatmir Osmani.

Bazuar në statistikat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik  në Kosovë gjatë periudhës 2017;2018 nga fruthi janë prekur 653 persona, prej tyre 310 femra dhe 343 meshkuj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat