Ish-prokurorja e akuzuar për korrupsion, Vahide Badivuku thotë se Policia manipulojë provat

Kosova

Ish-prokurorja e akuzuar për korrupsion, Vahide Badivuku thotë se Policia manipulojë provat

Më: 2 maj 2018 Në ora: 20:07
Pamje nga seanca


Gjykata e Apelit, të mërkurën, ka shqyrtuar për herën e tretë, ankesën e ish-prokurores së akuzuar për korrupsion, Vahide Badivuku, të paraqitur kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, me të cilin, ajo ishte shpallur fajtore për veprën penale “marrje ryshfeti”.

Përveç Badivikut, ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, kanë paraqitur edhe i akuzuari tjetër në këtë rast, Idriz Kelmendi dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Në fillim të seancës të së mërkurës, ish-prokurorja Badivuku kërkoi nga gjykatësja raportuese për këtë rast, Tonka Berishaj, që ankesa e saj të elaborohet më gjerësisht pasi që në dy seancat e kaluara një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Lirimin e saj nga akuza apo rigjykim të rastit, ishin kërkesat e të akuzuarës Badivuku të paraqitura në ankesën saj drejtuar Apelit.

Sipas ankesës së saj, aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale ashtu që, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë është i pakuptueshëm, kundërthënës dhe në kundërshtim me vetveten.

E akuzuara Badivuku, në ankesën saj gjithashtu ka theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka paraqitur faktet vendimtare me të cilat është vërtetuar kryerja e veprës penale dhe edhe ato fakte që janë paraqitur, sipas ankesës, janë të paqëndrueshme.

Tutje sipas Badivukut, provat e siguruara nga ana e policisë gjatë kontrollit që i kishin bërë në kufirin Kosovë – Serbi, duhet të shpallen të papranueshme, pasi ato sipas saj, janë marr në mënyrë të kundërligjshme.

“Gjatë kontrollit të policisë nuk është më është dhënë mundësia që të kem avokat. Po ashtu, policia nuk ka bërë procesverbal për atë kontroll si dhe edhe pse ka pas mundësi që të sigurohet një urdhër për atë kontroll nga gjykata, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Me këtë rast, ky kontroll në kufi ka shkel edhe Kodin e Procedurës Penale, pasi nuk ka pas rrethana urgjente në rastin në fjalë”, thuhet në ankesën e Badivukut.

Në ankesën e saj, Badivuku ka hedhur akuza për policinë për manipulim të provave, pasi sipas saj, bankënotat të cilat i ishin konfiskuar asaj gjatë kontrollit në kufi, nuk i është dhënë mundësia asaj që t’i shikojë dhe t’i verifikojë numrat serik të këtyre bankënotave.

Në fund të ankesës së Badivikut, thuhet se gjykata ka mbivlerësuar te thënat e të akuzuarit Isak Smakolli, pasi që sipas Badivikut, as ai nuk ka thënë se paratë e ryshfetit kanë shkuar te ajo.

“Të gjitha mëdyshjet që i ka pasur gjykata është dashur te shkojnë në të mirë të akuzuarës. Me asnjë provë nuk është vërtetuar se paratë kanë përfunduar në duar të mija. Isaku asnjëherë nuk më ka involvuar, pasi edhe ai ka thëne se nuk e dinë se te kush do të shkojnë paratë”, thuhet në ankesën e ish-prokurores Badivuku.

Pas raportimit të ankesës së Badivikut nga ana e gjykatëses Berishaj, fjalën e mori vet e akuzuara Badivuku.

“Nuk kam të bëj asgjë me këtë çështje. Kur jam arrestuar për mu ka qenë si me rënë nga qielli. Ton jetën më ka mbet pikë që nuk i kam parë numrat serik të parave që ishin marrë nga policia. Edhe pse edhe vet kam qenë prokurore, unë ndjej keqardhje për veprime hetimore që kanë ndodhur në këtë rast”, tha në fjalën e saj, Badivuku.

Ankesën e Badivikut e mbështeti edhe mbrojtësi i saj, avokati Ramë Dreshaj.

Dreshaj tha në fjalën e tij se mënyra se si Policia e Kosovës ka vepruar në rastin konkret, nuk ndodhë askund në botë.

“Në vend se të veprohet sipas simulimit, ato para janë shku herë në Budvë e herë andej e këndej. Këto para është dashur të ndjeken nga personi përgjegjës i policisë se ku po shkojnë. Në çdo hap te kompletimit të provave është shkel ligji në këtë rast”, tha Dreshaj duke ju referuar parave që Policia e Kosovë i kishte gjetur tek e akuzuara Badivuku.

Lirimin nga akuza apo rigjykim të rastit, kërkoi edhe Besnik Berisha, avokat mbrojtës i të akuzuarit Idriz Kelmendi.

Berisha në fjalën e tij, duke ju referuar të akuzuarit Isak Smakolli, tha se nuk mund ta pranojë si të logjikshme që një person në një procedurë të ketë dy epitete, edhe si i akuzuar edhe si dëshmitar.

“Që ti falet dikujt vepra e fajdes dhe që të pranohet dëshmia e tij, nuk mund ta pranojë si të logjikshme. Ai dëshmitar ka qenë mercenar. Unë mendoj që ju duhet ti veni “Stop”, që një person të ketë një status te dyfishtë. Prokuroria disa here na është ofru neve dhe na ka thënë se nuk kemi të bëjmë me ty, hajde dëshmo për prokuroren”, tha Berisha.

Tutje, avokati Berisha tha se aktgjykimi është bazuar në dëshmitë e Isak Smakollit dhe të Vahide Badivukut, mirëpo dëshmitë e të dyve, Berisha i quajti të papranueshme.

“Vahidja asnjëherë nuk ka qenë në betim kur ka dhënë dëshminë e saj. Ajo ka mundur të thotë çka do që i ka konvenuar, andaj dëshmia e saj ka vlerë zero”, deklaroi Berisha.

Sa i përket të mbrojturit të tij, Idriz Kelmendi, Berisha tha se askush nuk e ka përmendur atë si të involvuar në këtë rast.

Në rast se i mbrojturi i tij nuk do të lirohet nga akuza apo nëse çështja nuk do të kthehet në rigjykim, Berisha i propozoi kolegjit të Apelit, që ndaj të mbrojturit të tij të shqipton një dënim më të butë, të kushtëzuar apo dënim prej gjashtë muajve të cilën siç tha Berisha do të pajtoheshin të kthehet në dënim me gjobë.

Në anën tjetër, dënim më të lartë për ish-prokuroren Badivuku dhe të akuzuarin Kelmendin, ka kërkuar PSRK-ja.

Sipas ankesës së prokurorisë, dënimi ndaj të akuzuarve është i butë duke marr parasysh sidomos rrethanat personale të të akuzuarës, Badivuku.

Sipas prokurorisë, me këtë dënim të shqiptuar, nuk do të arrihet qëllimi i dënimit sidomos duke pas parasysh faktin se e akuzuara Badivuku, ka qenë prokurore dhe me veprimet e saja i ka dëmtuare rëndë edhe imazhin e prokurorisë.

“Duke pas parasysh qe e akuzuara Badivuku është zënë në flagrancë, dhe kur dihet se ajo si prokurore ka qene e thirrur për të luftuar krimin, me veprimet e saja  ajo ka dëmtuar edhe prokurorinë dhe ka lenë pasoja afatgjate për imazhin e prokurorisë, andaj dënimet e tilla siç janë tash nuk do te kenë efekt”, thuhet në ankesën e PSRK-së.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në prill të vitit 2016, ish-prokuroren Vahide Badivuku e kishte shpallur fajtore për veprën penale të marrjes së ryshfeti dhe për këtë vepër, i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre viteve si dhe ndalim të ushtrimit të profesionit po ashtu në kohëzgjatje prej tre vite.

I akuzuari tjetër në këtë rast, Idriz Kelmendi ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për shkak të veprës penale të ushtrimit të ndikimit, kurse Isak Smakolli për të njëjtën vepër ishte dënuar me tre mijë euro gjobë dhe ishte obliguar të kthejë katër mijë euro.

Badivuku dhe Kelmendi, po ashtu ishin obliguar nga gjykata që në mënyrë solidare të paguajnë gjobën prej pesë mijë euro.

Këtë dënim të shqiptuar nga shkalla e parë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit në shtator 2016, mirëpo çështja ishte kthyer në rivendosje nga ana e Gjykatës Supreme në maj të 2017.

Në qershor të vitit të kaluar, Apeli sërish e kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë mirëpo në prill të këtij viti, Gjykata Supreme përsëri e kishte kthyer rastin në rivendosje.

Sipas aktakuzës së ngritur fillimisht prej prokurorit special Admir Shala nga PSRK-së, Vahide Badivuku, akuzohej se ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit”, sipas nenit 428,par  të KPRK-së  dhe “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, e akuzuar në mënyrë të tërthortë ka kërkuar dhe pranuar dhuratë për vete, në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën zyrtare, në atë mënyrë që në bashkëpunim me të akuzuarin Idriz Kelmendi, duke vepruar si prokurore e çështjes penale PPI.nr.298/2014, kundër të pandehurve Esan, Hasan, Arton dhe Dritan Hasani, në shkëmbim të lirimit nga masa e paraburgimit dhe të të pandehurve Esan dhe Dritan Hasani, ka kërkuar dhe ka marr nga familja Hasani, shumën e të hollave prej 10.000 eurove, përmes të akuzuarit Idriz Kelmendi.

Po ashtu, sipas prokurorisë, njëjta në kundërshtim me Kodin  e Procedurës Penale ka përpiluar kërkesën për kthimin e sendeve të sekuestruara, në shumën prej 22.000.

Dy të akuzuarit tjerë në këtë rast, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, akuzohen nga prokuroria se kanë kryer veprën penale “ushtrim i ndikimi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat