Gashi: Kemi rritur buxhetin për trashëgiminë 30% në raport me vitin e kaluar

Kosova

Gashi: Kemi rritur buxhetin për trashëgiminë 30% në raport me vitin e kaluar

Më: 16 maj 2018 Në ora: 13:35
Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Kujtim Gashi, ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi për zbatimin e programit dhe politikave të trashëgimisë kulturore dhe punën e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore.

Ministri informoi deputetët se që nga muaji shkurt kur ky Inspektorati ka filluar punën, ka bërë 21 inspektime, ndër to ka bërë tri kallëzime penale për dëmtim të trashëgimisë në vend. Ministri po ashtu u shpreh se MKRS ka përgatitur koncept-dokumentin për ligjin për trashëgiminë kulturore i cili do të procedohet në Kuvend.

Ai theksoi se ka filluar zbatimi i programit për trashëgiminë sidomos në plotësimin e legjislacionit dhe se MKRS ka rritur buxhetin për trashëgimi.

“Sa i përket zbatimit të programit për vitin 2018 mund të them se kam pas një përkushtim të veçantë në kuadër të zbatimit të legjislacionit, rritjes se buxhetit për institucionet vartëse dhe një numër të konsiderueshëm të projekteve kapitale”, është shprehur ministri Gashi duke shtuar se “Rritja e buxhetit për vitin 2018 në programin e trashëgimisë kulturore është afërisht 1 milion krahasuar me vitin 2017 (që zbërthyer në përqindje i bie afërsisht 30%)”, tha ai. 

“Buxheti i vitit 2017, në projeksion kapital ka qenë 3.125.684€ kurse në subvencione 842.286 euro derisa ne vitin 2018 në projeksionin kapital 4.020.000 euro kurse ne subvencione është i njëjtë. Prioritet ka qenë themelimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, një detyrim ligjor ky i pa përmbushur për më shumë se një dekadë”, u shpreh ministri, bëhet e ditur përmes kumtesës për media.

Në këtë takim u diskutua edhe për Këshillin e Trashëgimisë, të cilës pritet t’i kalojë mandati dhe duhet të përzgjidhen kandidatët e rinj për këtë Këshill.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat