Kosova dhe Kroacia do të mësojnë gjuhën e njëra-tjetrës

Kosova

Kosova dhe Kroacia do të mësojnë gjuhën e njëra-tjetrës

Më: 18 maj 2018 Në ora: 13:05
Shyqiri Bytyqi priti sot në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi priti sot në takim ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, me të cilën bisedoi për mësimin e gjuhëve respektive, gjuhës kroate në Kosovë dhe gjuhës shqipe në Kroaci, e cila parashihet edhe në Memorandumin e Mirëkuptimit të vitit 2013.

Bytyqi dhe ambasadorja Kapitanoviq u dakorduan që të angazhohen në krijimin e mundësive për angazhimin e një bashkëpunëtori të jashtëm të gjuhës shqipe në Universitetin e Zagrebit dhe një bashkëpunëtori apo ligjëruesi të gjuhës kroate në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Ministri theksoi se, është jashtëzakonisht me rëndësi që t’u mundësojmë të rinjve në Kosovë dhe Kroaci të mësojnë gjuhët përkatëse dhe se në këtë kontekst do të bisedohet më konkretisht me menaxhmentin e Universitetin e Prishtinës për konkretizimin e Memorandumit.

Ndërsa, ambasadorja Kapitanoviq e njoftoi ministrin Bytyqi se në vitin e kaluar është hapur Katedra e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Zarës dhe po punohet që kjo të ndodh edhe në Universitetin e Zagrebit ku jeton një numër i konsiderueshëm i

shqiptarëve, ndërsa insistoi që edhe Kosova nga ana e saj të marrë përsipër angazhimet reciproke në këtë drejtim.

Ministri Bytyqi dhe ambasadorja Kapitanoviq u pajtuan se mësimi reciprok i gjuhëve reciproke është në interes të thellimit të bashkëpunimit edhe në rrafshin ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat