Ferizi: Brenda këtij viti fillon shërimi i limfodemës në Kosovë

Kosova

Ferizi: Brenda këtij viti fillon shërimi i limfodemës në Kosovë

Më: 23 maj 2018 Në ora: 11:56
Mybera Ferizi

Më në fund pacientët nga Kosova që vuajnë me limfodemë do të kenë mundësinë ku të adresojnë problemin e tyre.

Kjo pasi brenda këtij viti do të fillojë mjekimi i patologjisë së enëve limfatike në Klinikën Dermatologjike dhe atë Vaskulare në Prishtinë.

Kështu bëri të ditur kryetarja e Shoqatës së Dermatologëve në Kosovë, Mybera Ferizi, njëherit organizatore e simpoziumit për njohjen dhe mjekimin e limfodemës, një patologji e enëve limfatike.

Në një intervistë për KosovaPress, ajo ka shpjeguar se kjo patologji përcillet me të ajura të ekstremiteteve, si të dorës dhe të këmbës, teksa ka sqaruar se në rastet më të shpeshta haset si efekt anësor pas operacionit të kancerit të gjirit. Për këtë, ajo thekson se njerëzit ndoshta nuk mund ta njohin sëmundjen me këtë emër, prandaj në raste të tilla rekomandon vizitat tek mjeku.

Ndërsa ka shpjeguar se janë të njohura dy lloje të kësaj patologjie, limfodema primare dhe ajo sekondare.

Ferizi: Pacientët ndoshta nuk e dinë për këtë emër

“Pacientët ndoshta nuk e dinë me këtë emër, limfodemë, mirëpo janë pacientët të cilët janë të atakuar me ajtje jonormale të një ekstremiteti, dora apo këmba. Pastaj dinë me qenë të ajurat  pas operacioneve që tash janë shumë të shpeshta të kancerit të gjirit, dhe vet pacientët kërkojnë një ndihmë ku ta bëjnë një trajtim të një të ajure të tillë, që nuk është i natyrës as kardiake as së veshkave, por është një zgjerim i enëve limfatike për shkak të heqjes së gjëndrave limfatike apo pas heqjes së ndonjë tumori në rrugët limfatike. Kështu që ka një grup pacientësh që ka limfodemë primare dhe pjesa tjetër me limfodemë sekondare, e cila i ka ato tablot apo pasqyrën tipike”, tha Ferizi.

E këta pacientë siç thotë Ferizi deri më tash kanë bredhur  te ortopedi, tek ftiziatri, ku kanë kërkuar ndihmë për ta trajtuar këtë sëmundje, duke mos pasur ku të adresojnë problemin e tyre.

Sipas saj, pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje fatkeqësisht kanë bredhur nga një mjek tek një tjetër, derisa bënë të ditur se dermatologu dhe kirurgu vaskular janë mjekët kompetentë ku duhet të drejtohen ata.

Ferizi: Pacientët kanë bredhur tek ortopedi dhe fiziatri

“Pacientët kanë bredhur tek ortopedi, tek ftiziatri, kanë kërkuar ndihmë për ta trajtuar atë limfodemë apo edhe tek mjek të praktikës së përgjithshme dhe thjesht nuk kemi ndonjë të dhënë që do të na kishte ndihmuar që të dimë se sa është numri i tyre. Por në të ardhmen sigurisht që do të jetë një kërkesë që do t’ia dërgojmë një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë që të mendojnë paksa për këtë grup pacientësh dhe të na ndihmojnë të bëjmë kolegë të cilët do të merren pikërisht me këtë patologji në të ardhmen”, tha ajo për KosovaPress. 

Ajo është shprehur optimiste se pas një trajnimi që është mbajtur këtë javë me Shoqatën Sllovene të flebologjisë dhe lymfologjisë, pacientët që vuajnë nga kjo patologji do të kenë mundësinë që të gjejnë trajtimin adekuat në Klinikën e Dermatologjisë, ku brenda këtij viti do të ketë mjekë të cilët do të merren nga afër me këtë sëmundje. 

Ferizi: Brenda këtij viti këta pacientë do të trajtohen në Klinikën e Dermatologjisë

“Këta pacientë deri më tani nuk kanë qenë të adresuar, tash do ta dinë se është Klinika e Dermatologjisë dhe Klinika Vaskulare, ku ne së bashku bashkëpunojmë për këtë patologji”, tha ajo.  Në klinikë sigurisht se do të jemi të gjithë të gatshëm ne në dermatologji, të ofrojmë ndihmën fillestare. Besoj që brenda vitit dikush do të përcaktohet prej më së afërmi dhe të merret me këtë, me ndihmën apo ta themi me mbikëqyrje dhe mjekimin e mundshëm të kësaj patologjie të limfodemës”, u shpreh ajo.

Me qëllim të njohjes dhe mjekimit të kësaj sëmundjeje, Klinika e Dermatologjisë dhe venerologëve të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e flebologjisë dhe lymfologjisë dhe Shkollën Internacionale për Limfodemën kanë mbajtur simpoziumin dy ditor në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat