Japonezët ndihmojnë Kosovën për ndotjen e ajrit

Kosova

Japonezët ndihmojnë Kosovën për ndotjen e ajrit

Më: 25 maj 2018 Në ora: 14:43
Ilustrim

Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) është duke e mbështetur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) përmes projektit "Projekti për zhvillimin e kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës".

Si një nga aktivitetet e projektit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) me ndihmën e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) do ta kryejë marrjen e mostrave të grimcave në ajër në Drenas dhe Mitrovicë.

Mostrat e grimcave në Drenas dhe Mitrovicë do të analizohen për përmbajtjen e metaleve të rënda. Ekziston një shqetësim serioz në lidhje me shëndetin publik bazuar në supozimin se ekziston prania e metaleve të rënda në ajër në Drenas dhe Mitrovicë. Më pas, analiza për praninë e metaleve të rënda do të kryhet në Japoni dhe bazuar në këto analiza ekspertët e JICA dhe stafi i MESP-së do të vlerësojnë rëndësinë dhe urgjencën e tyre.

Marrja e mostrave të grimcave është planifikuar për në fund të muajit qershor duke përdorur instrumentet e marrjes së mostrave të grimcave. Dy instrumente do ta bëjnë marrjen e mostrave të grimcave përmes operimit 24 orësh, në mënyrë që të bëhet marrja e një sasie të mjaftueshme të mostrës për analizim. Për secilën komunë do të merren dy deri në katër mostra.

Projekti i Bashkëpunimit Teknik për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit ka për qëllim zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për kontrollin e ndotjes së ajrit dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit bazuar në dëshmi teknike.

Rezultatet e pritshme të projektit janë zhvillimi i kapaciteteve të institucioneve të Kosovës për: 1) elaborimin e inventarit të emisioneve për impiantet e mëdha të djegies (LCP) dhe burime të tjera; 2) zhvillimin e matjeve të emisioneve për LCP dhe burime të tjera; 3) aktivitete të qëndrueshme të monitorimit të cilësisë së ajrit, 4) analiza laboratorike përkatëse për matjen e emisioneve dhe monitorimin e cilësisë së ajrit; 5) zhvillimin e modelimit të simulimit të cilësisë së ajrit; 6) marrjen e vendimeve në bazë të provave teknike për kontrollin e ndotjes së ajrit; 7) zhvillimi i masave të kontrollit të shkarkimeve për LCP-të dhe burime të tjera stacionare; dhe 8) vlerësimi i masave të kontrollit të ndotjes së ajrit.

Projekti ka filluar në muajin tetor 2017 dhe do të zgjas deri në shtator 2018 me një buxhet prej 45.081.000 JY (përafërsisht 338,580.00 euro).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat