Vëllai i Xhevë Ladrovcit: Të mos luhet me certifikatat e veteranëve

Kosova

Vëllai i Xhevë Ladrovcit: Të mos luhet me certifikatat e veteranëve

Më: 1 qershor 2018 Në ora: 16:55
Xhevë Krasniqi Lladrovci është krahasuar me heroinën Shotë Galica e cila luftoi përkrah burrit të saj Azem Galicës.

Jeta dhe vepra e heroinës Xhevë Lladrovci është përkujtuar sot në 63 vjetorin e lindjes së saj.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci ka qenë luftëtare e UÇK-së dhe ka rënë dëshmore në shtatorin e vitit 1998 bashkë me bashkëshortin e saj Fehmi Lladrovci.

Xhevë Krasniqi Lladrovci është krahasuar me heroinën Shotë Galica e cila luftoi përkrah burrit të saj Azem Galicës.

Në një akademi përkujtimore  të organizuar sot nga Ministria e Diasporës Xhevë Lladrovci u konsiderua si një grua e cila u bë udhërrëfyese për të fituar lirinë.

Zëvendësministri i Diasporës Isni Kilaj duke folur për virtytet e Xhevës u shpreh se ajo është fytyra më emblematike e të gjitha kohërave.

Kilaj: Ishte ndryshe sepse u lind në një familje patriotike

“Ajo nuk kishte si të ishte ndryshe sepse lindi e u rrit nga një familje e madhe patriotike nga babi Avdyli e nënë Xhemilja të lindur, rritur e brymosur me atdhe dashuri e të gatshëm deri në flijim. E brymosi Xhevën me tipare për një njeri me virtytet më njerëzore e patriotike me personalitetin më kompleks shqiptar e njerëzor, të një luftëtareje epike deri në një sakrificë sublime për liri e ideale shqiptare për jetë e nder”, tha Kilaj.

Fjalë të mëdha për veprën dhe jetën e Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit tha edhe  nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj i cili u shpreh se këta dy  i përkasin gjerdanit të heronjve të atdheut.

Haradinaj: Këta dy heronj u bënë udhërrëfyesi i popullit për liri

“Shembulli i tyre, sjellja e tyre dhe jeta e tyre e dinjitetshme u bënë udhërrëfyesi i popullit tonë i burrave dhe grave tjera si Fehmiu dhe Xheva të cilët në ditët më të rënda arritën ta organizojnë rezistencën gjithë popullore mbarë Kosovë duke dëbuar okupatorin serb. Fehmi e Xhevë Ladrovci kanë qenë dhe kanë mbetur ndër figurat më emblematike të UÇK-së ata kanë lindur dhe janë rritur në një ambient të fuqishëm”, tha Haradinaj.

Të pranishëm në këtë akademi përkujtimore ishin edhe familjarët e Xhevë Krasniqit Lladrovcit të cilët thanë se dëshmorët që ranë për lirinë e Kosovës nderohen duke pasur një vend të pa korruptuar, me ushtri dhe polici të forët.

Vëllau i Xhevë Lladrovcit, Selim Krasniqi u shpreh se për të nderuar ata që ranë në fushën e nderit duhej të kishim një shëndetësi e drejtësi të mirë.

Krasniqi: Heronjtë nuk do donin të bëhej biznes me certifikata

“Ata do të dëshironin që të vendosnim vet për fatet tona, pa pasur nevojë që t’i pyesnim ata që na vranë dhe masakruan, na dogjën e na përzunë nga vatrat tona. Jam i bindur se të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë do të donin një vend ku nuk do të bëhej biznes me certifikata e aq më pak do të kishim menduar një vend  ku ne nga një luftë çlirimtare do të dënoheshin për kriminel e bile edhe të formoheshin edhe Gjykata Speciale për dënimin e luftës tonë të lavdishme”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij për të nderuar dëshmorët që ranë për liri  duhet të bashkohen dhe të punojnë për të mirën e vendit.

Disa fjalë për luftëtaren, Xhevë Lladrovci i tha edhe i biri i heroit Hamzë Jashari, i cili njëherësh është edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Sipas tij Xheva ishte grua e pendës dhe e pushkës.

Jashari: Ishte më shumë se Shote Galica

“Ishte një grua e pashoqe, e pendës e pushkës e të gjithave me një fjalë. Ndoshta nuk gaboj të them se ishte edhe më shumë se Shote Galica. Unë ndihem krenar për kohën dhe takimet që i kemi pasur në atë kohë“, tha Jashari.

Në këtë ceremoni ku u përkujtua luftëtarja e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhevë Krasniqi Lladrovci , ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike i ndau mirënjohje familje së saj për kontributin që ajo dha për liri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat