Edhe në Shtime shënohet Dita e mjedisit

Kosova

Edhe në Shtime shënohet Dita e mjedisit

Më: 5 qershor 2018 Në ora: 18:52
Edhe në Shtime shënohet Dita e mjedisit

Në Ditën ndërkombëtare të mjedisit vullnetarë të shumtë kishin shprehur kontributin e tyre për pastrimin e parkut të pishave edhe në komunën e Shtimes.

Për të parë nga afër këtë aksion pastrimi kishte ardhur edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj e cila tha se në kuadër të kampanjës për gjelbërim, aksione pastrimi po ndodhin edhe në Shtime, komunë kjo e cila gëzon hapësira gjelbërimi, të cilat duhet të mirëmbahen.

Reshitaj: Këtij parku dua t'i japim pamje tjetër

"Jemi në komunën e Shtimes dhe pikërisht jemi në këtë park të pishave që ka fat komuna e Shtimes që e ka një park të tillë kaq të bukur dhe ne jemi ata që bashkërisht duam t'i japim pamjen qysh e meriton edhe parku, por në përgjithësi edhe komuna dhe gjitha Kosova. Kemi ardhur sot me shumë vullnetar për ta pastruar dhe për të gjelbëruar komunën e Shtimes", u shpreh ajo.

Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli u shpreh se aktiviteti i cili shënon ditën e mjedisit në këtë komunë nuk do të jetë njëditor, por do të jetë njëjavor. Tutje ai shpalosi disa nga planet që kanë me qëllim të shtimit të zonave të gjelbra në komunën e Shtimes.

Ismajli: Do të rrisim dinamikën e mbjelljes së drurëve

"Ne kemi startuar edhe me mbjelljen e drurëve, domethënë para 7-8 viteve me dinamikë më të madhe, në këtë vit kemi një plan të zgjerimit të tyre më tutje. Ju e keni parë hyrjen të trotuareve të integruar ku çdo gjë tash që ndërtojmë krahas saj e kemi edhe ishullin e gjelbër si obligues dhe po vazhdon kampanja edhe në shkolla, pra për shkolla të pastra për shkolla të gjelbra, dhe na këtu kemi bërë investime që të kemi kopshte, që të kemi sa më shumë gjelbërim", ka thënë ai.

I pari i komunës së Shtimes tha se janë duke punuar për të shtuar edhe fondet për gjelbërimin sa më të madh të kësaj zone.

Udhëheqësi i organizatës jo qeveritare, "Let's do it Kosova", Luan Hasanaj u shpreh që pamjet në parkun e pishave në Shtime nuk e pasqyrojnë kulturën e qytetarëve, por duhet një vetëdijesim më i madh për mbrojtjen e ambientit.

Hasanaj: Pronat publike t'i trajtojmë sikur ato private

"Vetëm nevojitet pak rritja e vetëdijes që ta trajtojmë këtë pronë ashtu siç i trajtojmë pronat private. Pra, përderisa pronat private në Shtime e në tërë Kosovën, sigurisht që edhe pronarë publikë duhet të mirëmbahen po ashtu", tha Hasanaj.

Ndryshe, në shënim të Ditës ndërkombëtare të mjedisit gjatë ditës në 26 komuna të Kosovës janë mbajtur aksione pastrimit të rreth 78 deponive ilegale, ku kanë qenë të përfshirë rreth 10 mijë vullnetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat