Kosova JO në OBT së paku edhe 5 vjet

Kosova

Kosova JO në OBT së paku edhe 5 vjet

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 15:58
Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) do të zgjidhte problemet dhe barrierat tregtare

Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) do të zgjidhte problemet dhe barrierat tregtare me të cilat përballet vendi ynë, por pavarësisht përgatitjeve teknike të bëra, duket se për një gjë të tillë duhet pritur ende shumë, së paku pesë deri 20 vjet pas aplikimit.

Kështu u tha gjatë një konference të organizuar për media nga Oda Ekonomike e Kosovës, në të cilën është folur mbi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Udhëheqësja e Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë, Sytrime Dervisholli ka thënë sot se në koordinim me Zyrën e Kryeministrit dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme shumë shpejt do të përgatitet kërkesa formale për të aplikuar në sekretariatin e OBT-së.

Por, pse është neglizhuar kjo çështje, Dervisholli ka thënë se nuk është personi më i duhur me dhënë këtë përgjigje, por tha se ka një vullnet shumë të fuqishëm pas sinjaleve të partnerëve ndërkombëtar që të aplikohet sa më shpejt.

Dervisholli: Së paku edhe pesë vjet Kosova nuk mund të bëhet anëtare e OBT-së

 “Në momentin e aplikimit është një fazë prej minimum pesë viteve që Kosova duhet të marrë statusin e anëtarit në Organizatën Botërore të Tregtisë. Ne kemi raste kur negociatat kanë zgjatur rreth 20 vite të një vendi të caktuar, jo pse procesi është aq I gjatë, por është vet vullneti I vendit të caktuar, I qeverisë së vendeve sa kanë që të gatshme që ti ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme në një afat optimal. Prnaj, ka edhe raste kur kanë zgjatur proceset 10 vite, kemi raste të vendeve të rajonit anëtare të CEFTA-s që janë, fqinjët tanë. Kështu që krejt kjo varet nga vullneti I vendit respektiv, jo pse ka ndonjë afat të caktuar për anëtarësim të plotë, por minimumi i pesë viteve kanë konsideruar që një vend duhet të jetë në përputhshmëri me rregullat e OBT-së, merr aq kohë”, ka thënë Dervisholli.

Ajo shtoi se Kosova edhe pse nuk është pjesë e OBT, ajo zbaton rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. MTI, sipas saj, nuk ka qëndruar duarkryq në këtë proces, duke zhvilluar vizita dhe aktivitete ndërkombëtare, veçanërisht në Bruksel së fundmi, ku Kosova ka aplikuar që të jetë vëzhguese në OBT.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka apeluar që sa më parë Kosova të aplikoj për anëtarësim në OBT, sepse ka barriera tarifore dhe jo tarifore me të cilat ballafaqohen bizneset e Kosovës.

Gërxhaliu: Çështja e aplikimit për anëtarësim në OBT, është tërësisht politike

“Kosova, pavarësisht faktit që bisedimet dhe takimet me OBT-në kanë nisur shumë kohë më parë vazhdon të mbetet larg këtij institucioni për shkak të mos paraqitjes të një kërkese formale për anëtarësim në këtë organizatë. Sipas mbarë vajtjes së këtij procesi deri më tani, çështja e paraqitjes të kërkesës zyrtare për anëtarësim në Sekretariatin e OBT-së është tërësisht proklitike, pavarësisht përgatitjeve teknike që janë bërë në drejtim të anëtarësimit. Shikuar nga një prizëm e gjerë, Kosova nga ky anëtarësim fillimisht si vëzhgues më shumë do të fitoj politikisht se sa ekonomikisht. Negociatat për anëtarësim sipas përvojave të vendeve të tjera kanë zgjatur në mes 5 dhe 15 vite, andaj, është momenti i fundit kur Kosova duhet seriozisht të shqyrtoj aplikimin në OBT. Prej vendeve të rajonit, Kosova është i vetmi shtet që nuk është pjesë e kësaj organizate, madje as si vëzhgues”, ka thë në Gërxhaliu.

Naim Huruglica i prezantuar si ekspert, tha se Kosova nuk ka asnjë arsye që mos të jetë anëtare e OBT, pasi ka bërë reforma të nevojshme në këtë drejtim, ndërkohë që brengë për të mbetet deficiti tregtar.

Ndërsa, Berat Rukiqi nga OEK ka thënë se anëtarësimi në OBT garanton edhe lëvizje të lirë për shërbime, ngase Kosova ka mjaft potencial. Sipas tij, anëtarësimi në OBT ka përfitime edhe në aspektin e tarifave duke pasur parasysh se kjo organizatë me seli në Zvicër ka 164 anëtarë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat