Nesër nis Universiteti Veror Ndërkombëtar - Bota Sot
Nesër nis Universiteti Veror Ndërkombëtar

Kosova

E diel, 18 nëntor 2018

Nesër nis Universiteti Veror Ndërkombëtar

Më: 8 korrik 2018 Në ora: 11:30
Lumnije Bajrami

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga nesër do të jetë nikoqir i mbi 300 studentëve nga vendi, rajoni dhe bota, të cilët do të marrin pjesë në edicionin e 18-të të Universitetin Veror Ndërkombëtar.

Këtë edicion janë përzgjedhur 15 kurse, ku studentët mund të vijojnë vetëm një kurs, pastaj në fund do të marrin një notë dhe 4 kredi, të cilat pastaj mund t’i transferojnë në universitetet në të cilat vijojnë mësimet.

Drejtoresha e Universitetit Veror, Lumnije Bajrami, ka bërë të ditur se të gjitha përgatitjet janë bërë rreth Universitetit Veror, ndërkohë që profesorët dhe studentët do të vijnë në Kosovë ditëve të vikendit.

Bajrami: Me datën 9 korrik zyrtarisht fillon programi akademik

“Tash ne jemi në fazën përfundimtare, të gjitha përgatitjet janë bërë, jemi në fazën finale, me datën 9 korrik zyrtarisht fillon edhe programi akademik. Pra, ditën e hënë fillojnë kurset, gjatë kësaj fundjave fillojnë që të arrijnë pjesëmarrësit, të vendosen, si profesorët, ashtu edhe studentët në Qendrën e Studentëve. Kështu që pak a shumë agjenda është gati, aktivitetet, të gjitha janë finalizuar dhe mbetet vetëm që pas disa ditësh të fillojmë me programin, me pjesën akademike”, bëri të ditur ajo.

Kurset që ofrohen në kuadër të Universitetit Veror nuk janë pjesë e programit të rregullt të studimeve, megjithatë studentët për kursin që do të ndjekin do të marrin 4 kredi.

Drejtoresha e këtij Universiteti Veror ka bërë të ditur se numri i studentëve për secilin kurs është i barabartë. Kjo është bërë në mënyrë që të mos ketë në një kurs shumë studentë e në një tjetër më pak.

Bajrami: Marrin katër kredi të cilat mund t’i transferojnë

“Ditët e fundit kur përfundojnë mësimet studentët i nënshtrohen testit dhe varësisht prej rezultatit që tregojnë marrin edhe notën, mirëpo marrin edhe katër kredi të cilat mund t’i transferojnë, për shembull edhe studentët ndërkombëtarë kur kthehen në universitetet e tyre, por edhe studentët tanë të cilët ndjekin këto kurse. Ajo që vlen të ceket është që secili prej tyre ka të drejtë të vijojë vetëm një kurs, kur kanë aplikuar kanë pasur mundësi tre opsione, e kanë dhënë opsionin e parë, të dytë, të tretë dhe varësisht prej konkurrencës më pastaj ata që kanë qenë më të mirë janë përzgjedhur tek kursi i parë. Mirëpo, nëse ndonjëri për shkak të konkurrencës nuk ka arritur atëherë i është ofruar zgjedhja e dytë që e ka bërë”, tha ajo.

Bajrami në një intervistë për kp ka bërë të ditura edhe fushat të cilat janë përzgjedhur për t’u ligjëruar gjatë Universitetit Veror, ndërkohë që ka potencuar se të gjitha njësitë akademike mbulohen.

Të gjithë studentët do t’i vijojnë kurset në gjuhën angleze. Kjo sipas Bajramit për faktin se Universiteti Veror ka karakter ndërkombëtar.

“Të gjitha fushat, për shembull shkenca politike, mjekësi, juridik, ekonomik, inxhinieri, mbrojtje të ambientit, këto janë pak a shumë. Të gjitha njësitë akademike pothuajse mbulohen, kemi punë sociale, një tjetër është integrime evropiane, pra të gjitha njësitë akademike mbulohen. Ligjëratat mbahen në gjuhën angleze”, bëri të ditur Bajrami.

Përveç pjesës teorike që studentët duhet të ndjekin, në disa prej kurseve studentët do të kenë më shumë praktikë, siç janë ata që ndjekin kursin e arkeologjisë.

Gjithashtu, studentët do të kenë edhe ëork shope të ndryshme gjatë dy javëve sa do të mbahet Universiteti Veror.

Bajrami: Tek kursi i arkeologjisë shkojnë merren me punën në terren

“Natyra e kurseve ndryshon, për shembull një karakter tjetër ka kursi i arteve, ata e kanë pjesën mësimore pak më ndryshe, zakonisht janë pjesa praktike. Ajo që vlenë të cekët është se në fund profesoresha në bashkëpunim me profesorin arrijnë të organizojnë në fund fare një koncert të përbashkët që është si rezultat gjatë këtyre dy jave. Pse e morra si shembull është se aty marrin pjesë studentë nga universitete të ndryshme dhe pak a shumë nuk njihen në mes vete, por që përgjatë këtyre dy jave arrijnë me punuar me ta dhe në fund si rezultat i këtij bashkëpunimi ofrohet një koncert. Ka edhe kurse të ndryshme, për shembull nga fusha e arkitekturës kur ka pasur më herët edhe ata në fund kanë ofruar një ekspozitë punën që e kanë kryer. Studentët që janë tek kursi i arkeologjisë shkojnë merren me punën në terren, studentët e shkencave politike varësisht nga tema shkojnë mbajnë takime. Pastaj, përveç pjesë s të kurseve ne kemi edhe pjesën tjetër të ëork shope, kemi katër ëork shope këtë edicion”, tha ajo.

Stafi akademik edhe këtë vit është një kombinim i profesorëve vendor me ata ndërkombëtar, një kombinim i tillë është edhe sa i përket studentëve.

Drejtoresha e UVN-së, Lumnije Bajrami, ka bërë të ditur se afati për të aplikuar për profesorët ka qenë në vjeshtën e vitit të kaluar, ndërsa për studentë ka qenë gjatë muajit prill të këtij viti.

Ajo bëri të ditur se profesorët kanë pasur mundësinë që të propozojnë një kurs të cilin dëshirojnë ta mbajnë, ku më pastaj komisioni i Universitetit Veror ka vendosur se nëse i plotëson kriteret për t’u mbajtur ai kurs i propozuar.

Bajrami: Profesorët dhe studentët vijnë nga vende të ndryshme

“Profesorët vijnë nga vende të ndryshme, për shembull kemi nga Italia, nga Franca, nga ShBA-të, kemi një profesoreshë nga Egjipti, kemi nga Gjermania, nga Polonia, ka nga vende të ndryshme, kryesisht janë të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës...Studentë ka nga shtete të ndryshme, prej vendeve të rajonit nga Shqipëria, Maqedonia, ka prej vendeve të BE-së për shembull Polonia, Britania e Madhe, këto janë pak a shumë Holandës, vende të ndryshme. Kemi prej Egjiptit”, tha ajo.

Studentët që nga ora 9:00 e mëngjesit deri në ora 12:00, do të vijojnë kurset, ndërsa pjesën e mbetur të ditës do të kenë aktivitete tjera, siç janë shëtitjet, vizita në muze, teatër, kinema e të tjera, ndërsa gjatë ditëve të vikendit do të kenë dy ekskursione.

Universiteti Veror Ndërkombëtar do të  mbahet nga 9 korriku deri me 20 korrik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test