Ka përmirësim të ofrimit të kujdesit shëndetësor për të burgosurit në Kosovë - Bota Sot
Ka përmirësim të ofrimit të kujdesit shëndetësor për të burgosurit në Kosovë

Kosova

E hënë, 19 nëntor 2018

Ka përmirësim të ofrimit të kujdesit shëndetësor për të burgosurit në Kosovë

Më: 11 korrik 2018 Në ora: 13:17
Ilustrim

Projekti i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të burgosurve në Kosovë, ka arritur profesionalizimin e stafit të burgjeve, ka përforcuar masat mbrojtëse që synojnë sigurimin e mbrojtjes më të mirë të të drejtave të burgosurve, si dhe ka përmirësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor.

Këto të dhëna janë bërë të ditura në konferencën përmbyllëse të projektit “Përmirësimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të burgosurve në Kosovë”, projekt i cili është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe ka pasur për qëllim rritjen e mbrojtjes së të drejtave të të burgosurve.

Me rastin e publikimit të të dhënave, shefi i sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Prishtinë, Luigi Brusa, u shpreh se ky projekt në masë të madhe i kontribuon promovimit të të drejtave të njeriut, në këtë rast tek personat e burgosur.

Brusa deklaroi se sistemet e burgjeve duhet të synojë rehabilitimin e të burgosurve dhe për këtë arsye ai tha se e kanë financuar këtë projekt.

Brusa: Tranzicioni i burgjeve në komunitet është esenciale

“Çelësi është që të sigurohen shërbime efikase në shërbimin e veglave inovative, tranzicioni i burgjeve në komunitet është esenciale, sanksionet alternative dhe integrimi shoqëror i të burgosurve është me rëndësi në veçanti për të rinjtë. Kosova është një shoqëri e re dhe disa të rinj gjenden në pozitë të vështirë dhe një nga propozimet nga ky projekt është që të mbulohet në veçanti aspekti për të rinjtë”, tha ai.

Përfituese dhe partner në projekt ishte edhe Ministria e Drejtësisë, ku në emër të ministrit Mimoza Blakaj nga kjo ministri, ka paraqitur të arriturat që janë bërë.

Blakaj deklaroi se politikat e Ministrisë së Drejtësisë kanë qenë të fokusuara në dy segmente si përmirësimi i kornizës ligjore dhe  përmirësimi i infrastrukturës, ku sa i përket të parës ajo tha se kanë filluar me rishikimin e ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.

Ky ligj sipas saj është rishikuar me fokus në drejtimin e gjetjes së balancit në mes të sigurisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut, i njëjti ligj është bërë gati nga Ministria e Drejtësisë dhe shumë shpejt sipas Blakajt do të dërgohet në Qeveri për miratim.

Blakaj: Është shtuar numri i oficerëve të sigurisë nëpër burgje

“Janë bërë hapa konkret në drejtim të shtimit të numrit të oficerëve të sigurisë nëpër burgje, është bërë hapja e qendrës së paraburgimit, burgut të sigurisë së lartë dhe është duke u punuar shumë në krijimin e njësiteve ekonomike që do t’iu ndihmojnë në masën më të madhe njerëzve që janë në vuajtje të dënimit. Jo vetëm që të ndjehen të dobishëm edhe gjatë vuajtjes së dënimit, por edhe të krijohet një bazë për risocializimin më të lehtë të tyre në shoqëri pas daljes nga burgu. Po ashtu, MD ka filluar një proces shumë të rëndësishëm, rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe as në këtë aspekt nuk është anashkaluar kjo fushë”, tha ajo.

Në vitin 2014 me hyrjen në fuqi të ligjit për shëndetësi është bërë edhe bartja e kompetencave të kujdesit shëndetësor për të burgosur nga Ministria e Drejtësisë tek ajo e Shëndetësisë.

E që nga ajo kohë ofrimi i shërbimeve nëpër burgje sipas ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka shënuar rezultate pozitive, megjithatë ai thotë se ende është problematike ofrimi i shërbimeve shëndetësore për të burgosurit.

Ismaili: Ne kemi ende vështirësi në ofrimin e kujdesit shëndetësor për të burgosurit tanë

“Ne kemi ende vështirësi në ofrimin e kujdesit shëndetësor për të burgosurit tanë, mirëpo kjo nuk është unike për sistemin e burgjeve, ka të bëjë më shumë që është unike në gjithë sektorin e shëndetësisë ku pacientët tanë hasin vështirësi të ndryshme dhe kjo natyrisht që do të reflektojë në ofrimin e shërbimeve në burgjet e Kosovës. Mbetet ende të kemi një synim që ta përmirësojmë, ta ofrojmë një kujdes shëndetësor sa më cilësor, sa më transparent gjithnjë duke respektuar të drejtat e njeriut dhe gjithnjë duke respektuar rekomandimet të cilat i kemi qoftë nga Bashkimi Evropian apo edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Mirëpo, konsiderojmë që ajo që ne kemi arritur si Kosovë po ashtu mund të jetë edhe një lloj udhërrëfyesi edhe për shtetet tjera të Evropës Juglindore”, tha ai.

Buxheti i përgjithshëm i projektit ishte 620 mijë euro, ndërsa ka filluar më 1 tetor 2016 dhe pritet të përfundojë deri më 31 gusht.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test