Deri para pak muajsh, banorët e fshatit Pledenicë dhe tre fshatrave përreth kishin katër rrugë alternative për t’u kyçur në qytetin e Hanit të Elezit.
Por, me fillimin e punimeve të autostradës “Arbën Xhaferi”, u ka mbetur vetëm një.
Me mbarimin e punimeve edhe ajo do të mbyllet, duke e zëvendësuar me rrugën përmes një nënkalimi, të cilit ka nisur t’i jepet formë, e pjerrtësia e të cilit thonë se është rreth 15 shkallë.
Banorët tregojnë se kanë diskutuar edhe me menaxherë të projektit, të cilët u kanë thënë se nuk mund të bëhet asgjë pa vendim të Ministrisë së Infrastrukturës.
Në ministri, këshilltari politik, Argjend Zejna, pajtohet me pakënaqësi e banorëve dhe tregon se po tentohet për uljen e pjerrtësisë.
Ndërsa është duke u punuar edhe për shtrimin e rrugës alternative prej 600 metra, e cila planifikohet të përfundojë në fundvit.
Nëse këto zgjidhje nuk do t’i përmbushë ministria, atëherë banorët kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë vazhdimin e punimeve të Bechtel Enkës.