Kampanjë vetëdijësuese kundër përdorimit të telefonave gjatë vozitjes

Kosova

Kampanjë vetëdijësuese kundër përdorimit të telefonave gjatë vozitjes

Më: 30 korrik 2018 Në ora: 18:29
Kampanja vetëdijësuese

Numri i madh i aksidenteve me viktima dhe të lënduar në rrugët e Kosovës ka shtyrë organizatën EC Ma Ndryshe që të mbajë sot kampanjën vetëdijësuese kundër përdorimit të telefonave gjatë vozitjes, e cila shërben si një thirrje e radhës për ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

EC Ma Ndryshe ka organizuar Shkollën e Aktivizmit me nxënës të shkollave të mesme nga ku edhe ka dalë si shqetësim përdorimi i telefonave nga ngasësit gjatë vozitjes, duke cenuar sigurinë në trafik.

Si rrjedhojë e kësaj ka dalë edhe ideja për realizimin e kësaj kampanje vetëdijësuese nga nxënësja Kleita Koci, për kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me KVRL- Gjakovë dhe qytetarët e Gjakovës, me ç’rast është bërë shpërndarja e fletushkave që përmbajnë mesazhe sensibilizuese dhe statistika të aksidenteve që kanë ndodhur që nga viti 2017 në rajonin e Gjakovës dhe në tërë Kosovën. 

Në rajonin e Gjakovës gjatë vitin 2017 kanë ndodhur gjithsej 1094 aksidente, 11 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet me 14 persona të vdekur, ndërsa në periudhën janar-qershor 2018 kanë ndodhur 372 aksidente, 4 prej tyre fatale me 4 persona të vdekur.

Sa i përket territorit të Kosovës gjatë vitit 2017 kanë ndodhur gjithsej 17.695 aksidente ku 122 prej tyre kanë qenë fatale dhe kanë rezultuar me 137 persona të vdekur.

Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti kanë ndodhur gjithsej 7.003 aksidente ku 41 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet dhe me 52 persona të vdekur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat