Zeka: MSA, udhërrëfyes për reformat në menaxhimin e migrimit dhe kufirit

Kosova

Zeka: MSA, udhërrëfyes për reformat në menaxhimin e migrimit dhe kufirit

Më: 1 gusht 2018 Në ora: 13:15
Foto nga takimi

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, deklaroi sot se Republika e Kosovës ka bërë progres të theksuar në proceset demokratike dhe konsolidimit të institucioneve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

Ai këto komente i bëri në takimin e Komitetit të tretë Drejtues të Projektit Rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, lidhur me përkrahjen e mbrojtjes sensitive të menaxhimin e migrimit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqisë.

Zeka tha se ky takim duhet të shfrytëzohet si një platformë e bashkëpunimit dhe planifikimit të përbashkët, në mënyrë që të dalim sa më shumë punë dhe suksese në zbatim të projektit dhe avancimit të proceseve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në përputhje me proceset e integrimit të Kosovës në BE.

“Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit na shërben si udhërrëfyes për reformat që jemi duke i ndërmarr si Ministri e Punëve të Brendshme, në veçanti në fushat që ndërlidhen me menaxhim të migrimit dhe menaxhim të kufirit. Andaj reformat legjislative dhe të politikave në këto fusha janë bërë në përputhje me standardet evropiane dhe gjithnjë me përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtar dhe evropian, duke theksuar këtu përkrahjen e vazhduar që kemi nga BE”, tha Zeka.

Ai falënderoi Komisionin Evropian për përkrahjen që ka dhënë dhe vazhdon të përkrah Kosovën në shumë aspekte, dhe në veçanti në fushën e migrimit, si dhe partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë në zbatimin e projekteve dhe ofrimin e ekspertizës për institucionet tona dhe për shtetin tonë.

Ndryshe, në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë, FRONTEX-i, IOM-it, EASO-s UNHCR-se si dhe zyrtarë të lartë të MPB-së. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat