Përplasje sindikatash për pozitën e drejtorit të KEK-ut

Kosova

Përplasje sindikatash për pozitën e drejtorit të KEK-ut

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 09:05
KEK-u

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e udhëhequr nga Izet Mustafa, si dhe Sindikata e Re e KEK, që përfaqësohet nga Rafet Osmani, nuk po pajtohen assesi sa i përket përzgjedhjes së drejtorit të ri menaxhues të kësaj korporate, që njihet si gjigant ekonomik i Kosovës.

Të dy Sindikatat kërkojnë që në pozitën e drejtorit menaxheus të KEK-ut, që ka mbetur zbrazët që prej dorëheqjes së Arben Xhukës nga 31 maj 2018, të jetë profesional dhe ta njeh punën e Korporatës. Por, për dallim prej Sindikatës së Pavarur të punëtorëve, Sindikata e re po insiston që drejtori i ri të jetë dikush nga brenda dhe nga menaxhmenti aktual.

Kjo kërkesë për Izet Mustafen që udhëheq me Sindikatën e Pavarur të punëtorëve është ndërhyje dhe ndikim direk në përzgjedhjen e njerëzve të politikës brenda KEK-ut, duke shtuar tutje se presioni i sindikatës së re vjen edhe si ndikim i politikës për të zgjedhur ushtruesin e detyrës së drejtorit ekzekutiv Njazi Thaçin, që është kushëri i presidentit Hashim Thaçi, në pozitën e drejtori menaxhues.

Njazi Thaçi është një ndër 30 kandidatët që kanë aplikuar për këtë pozitë.

“Ata [Sindikata e re e Punëtoreve] faktikisht kanë bërë një kërkesë dhe sa është me vend ajo dhe a është me ndikim nga vetë njerëzit që po pretendojnë me marrë pozita le t’i mbetet kohës”, ka thënë Mustafa, duke shtuar tutje se kërkesë e sindikatës që përfaqëson ai është që të zgjedhet një drejtor menaxhues i KEK-ut me aftësi profesionale e që e njeh Korporatën Energjetike të Kosovës.

Deri më tani, sipas tij, KEK nuk ka pasur bord dhe menaxherë profesional, por njerëz të ndikuar politikisht.

“Për fat të keq deri tash na edhe bordet drejtuese i kemi pas gjithë, janë total politike dhe nuk janë profesionale dhe ata realisht nuk kanë as aftësi me menaxhu një  Korporatë si Korporata Energjetike e Kosovës. Në ndikim total të politikes dhe unë po e them pritet që nëse me politika të tilla me vazhdu me u menaxhu korporata, ka me u kthy korporata prej një që për fat të mirë është kthyer dhe është bë e suksesshme dhe e qëndrueshme në aspektin ekonomik duke realizuar objektivat e punës, planet operative duke përmirësua edhe kushtet e punëtoreve edhe pagat, por po them që nëse vazhdon me ra në ndikim total të politikës ka me dështu dhe ka me ja pa sherrin krejt kësaj nëse vazhdon me ndodh...”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, drejtori i ri duhet të jetë larg ndikimit politik ose korporata do të pësojë shumë. Derisa ka thënë se kërkesa e sindikatës së re pajtohet se mund të jetë edhe ndikim për të zgjedhur Njazi Thaçin në pozitën e drejtorit.

“Absolutisht ...prej themelimit të saj e deri sot [Sindikata e Re] asnjë aktivitet nuk e ka bërë për punëtoret është sindikatë të re dhe është themelu prej menxhmenti dhe tash edhe një pjesë e tyre janë edhe pretendentët tash për drejtorë e struktura tjera udhëheqëse, por këto me kohën do të vërtetohen a janë tu ndiku këto a jo”, ka thënë Mustafa.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Re të KEK-ut, Rafet Osmani ndërkaq, ka thënë për KosovaPress se kërkesa e tyre lidhet me faktin se nuk duan që njerëz të partive politike të marrin në dorë menaxhimin e KEK-ut, ngase sipas tij, rasti i PTK-së ka dëshmuar se kjo shkon në dëm të kompanive.

“Duke e vërejt rrugëtimin e Kompanive tjera publike të vendit siç është rasti i PTK-së me rastin e Agron Mustafës dhe frikës që edhe tek ne mund ta bëjnë të njëjtën gjë të sjellin drejtor nga militantët e vet partiak, partitë tani në Qeveri që se njohin fare natyrën e punës në KEK, nuk dinë për periudhën e rrugëtimit të Korporatës, jo profesionistë dhe deri ti njohin këto gjëra dhe ti gjejnë ,,bashkëpunëtorët “ e vet shkon një kohë jo e shkurtër. Ne në KEK kemi nga menaxhmenti i ynë individ shumë me përvojë dhe të përgatitur profesionalisht, të cilët me mjaft sukses do ta drejtonin KEK-un një nga kompanitë më të qëndrueshme dhe profitabile për vendin tonë”, ka thënë Osmani.

Osmani tha po ashtu se në asnjë mënyrë nuk do të involvohen për brenda në KEK se kë do ta zgjedhin apo jo, por prapë se prapë ka insistuar në atë se secili njeri nga menaxhmenti aktual e njeh punën e korporatës dhe me “xhelozi” të madhe do ta udhëhiqte Korporatën.

“Ne në asnjë mënyrë nuk do të involvohemi për brenda në KEK se kon do ta zgjedhin dhe nuk prejudikime në asnjërin, por dua tu them se çdo njeri nga menaxhmenti ynë që një periudhë të rrugëtimit të vetë e ka kaluar në këtë Kompani është familjarizu me të dhe me xhelozi të madhe do ta udhëhiqte dhe do ta fuqizonte edhe më shumë KEK-un se çdo njeri nga jashtë Korporatës. Sindikata e Re e KEK-ut nuk prejudikon dhe nuk e mbështesim asnjërin nga brenda”, ka thënë Rama.

Korporata Energjetike e Kosovës  ka rishpallur me 1 qershor konkursin për pozitat Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës.

Për pozitën e Drejtorit Menaxhues kërkohet që kandidati të ketë së paku 5 vite përvojë në nivel të menaxhmentit të lartë. Po ashtu kërkohet që të ketë diplomë universitare në lëmin e administrimit të biznesit, ekonomisë, financave, inxhinierisë apo juridik. Për herë të parë KEK-u ka shpallur konkurs për Drejtor Menaxhues me 5 prill.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) përmes një opinioni dërguar Bordit Drejtues (BD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar që të rishqyrtohet vendimi për konkursin e shpallur me 4 dhe 5 prill për Drejtor Menaxhues, Zyrtar të auditimit të brendshëm, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar të KEK. Ato kanë kërkuar që fillimisht t’u ndërpritet kontrata personave që janë nëpër këto pozita, e pastaj të shpallet konkursi.

Konkursi u rishpallë më 1qershor të këtij viti dhe deri më tani kanë konkurruar 30 persona për këtë pozitë. Konkurrentët janë: Besnik Hyseni; Hyrmet Mytydi Januzi; Istref Klinaku (Aktualisht mban pozitën e këshilltarit për çështje mjedisore në KEK); Ilmi Azemi; Arsim Gjinovci; Agron Haxhiu; Irfan Fejzullahu; Anisa Jakupi; Sherif Idrizaj; Lorik Haxhiu; Habib Basholli; Idriz Blakaj; Njiazi Thaçi (Aktualisht ka pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit Menaxhues në KEK); Gazmend Amaxhekaj; Selatin Sadiku; Enver Gashi (Aktualisht është inxhinier në Termocentralin “Kosova B”); Ali Krasniqi; Përparim Kabashi (Aktualisht ka pozitën e Drejtorit për Strategji në KEK); Selatin Sadiku; Shkumbin Bozhdaraj; Aldi Bytyqi; Burim Maraj; Salih Bytyqi (Aktualisht ka pozitën e Drejtorit Ekzekutiv Financiar në KEK); Isak Kerolli (Aktualisht ka pozitën e Drejtorit të Prokurimit në KEK); Fatmir Shahini; Adil Januzi (Aktualisht mban pozitën si Drejtor i Divizionit të Qymyrit në KEK); Habib Murati; Mehmet Krasniqi; Mentor Ferizi dhe Naser Rusinovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat