Edhe një rast në Arbitrazh, Kosova rrezikon 100 milionë euro

Kosova

Edhe një rast në Arbitrazh, Kosova rrezikon 100 milionë euro

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 13:32
Kompania "Iming" D.O.O.

Kosova edhe një herë në Arbitrazh. Në këtë rast kompania "Iming" D.O.O. do ta padisë Agjencinë Kosovare të Privatizimit në këtë gjykatë ndërkombëtare për mos kompensimin e investimeve që i ka bërë kjo kompani në Minierën Industria e Magnezit (MIM) Golesh, e që kompania ‘Iming” fillimisht pret kompensim mbi 60 milionë euro. Ndërsa, drejtues të AKP-së thonë se do të angazhojnë përfaqësues ligjor për t’u mbrojtur.

Avokati Granit Vokshi përfaqësues i autorizuar nga kompania “Iming” i cili bëri me dije se në këtë muaj do ta procedojnë padinë për AKP-në në Gjykatën e Arbitrazhit, thotë se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, në arsyetim të saj thotë se: “Tërheqja e aksioneve nuk do të thotë se paditësi do t’i humb investimet e tij të bëra në ndërmarrje”.

Dhe për më tepër, sipas tij: “Nëse paditësi dëshiron që të rimerr ato investime apo të kompensohet për ato investime, ai ka të drejtë që ta ushtroj një padi tjetër qoftë pran Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme apo pranë ndonjë forumi i cili ka kompetencë për të vendosur një gjë të tillë.

Vokshi thotë se këtë vendim dhe këtë arsyetim e ka ripërsëritur edhe Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili përbëhet prej gjyqtarëve ndërkombëtar.

Vokshi: Dhoma e Posaçme asnjë herë nuk i ka mohuar investimet nga “Iming”

“Dhoma e Posaçme asnjë herë nuk ka theksuar se paditësi nuk i ka realizuar ato investime. Dhoma e posaçme as nuk e ka trajtuar faktin se paditësi i ka bërë apo nuk i ka bërë ato investime, ngase ajo është çështje e ekspertizës. Krejt çka ka thënë Dhoma e Posaçme është se paditësi në një procedurë tjetër t’i drejtohet Gjykatës dhe të vlerësohet se a I ka bërë apo nuk i ka bërë dhe nëse I ka bërë sa I ka bërë ato investime. Natyrisht se kjo është çështje e nuk vlerësohet prej juristëve, por vlerësohet prej ekspertizave dhe ekspertëve financiar”, theksoi Vokshi. 

Kompania “Iming”, sipas avokatit duke u bazuar edhe në ekspertizat e saj, të cilat i ka realizuar, pretendon duke u bazuar në dokumentacion se aty janë bërë së paku 22 milionë euro investime dhe 810 mijë euro për privatizim. Përveç investimeve në bazë të një ekspertize të ekspertëve financiar vërtetohet se kompania “Iming” ka afërsisht 790 mijë euro në muaj humbje. Kështu që, ai tha se të gjitha këto do të jenë pjesë e pretendimeve dhe kërkesave të tyre në Tribunalin e Arbitrazhit.

Ai ka shtuar se meqenëse është alternative, paditësi, në këtë rast kompania “Iming” duke pasur parasysh faktin se ka humbur besimin në gjykatat vendore se ato do të vendosin drejtë lidhur me këtë çështje, ka vendosur që t’i drejtohet që të themelohet Tribunali i Arbitrazhit dhe që një Tribunal ad-hok i Tribunalit të merr vendim meritor lidhur më këtë çështje.

Vokshi: Në fund të muajt, AKP-ja në arbitrazh

“Meqenëse po flasim për dy vendime të gjykatës, dy vendime të cilat ia kanë njohur të drejtën blerësit për kompensim, do të thotë e kemi kontratën e cila e thekson se arbitrazhi është kompetent. E kemi vendimin e Gjykatës e cila ia njeh të drejtën e kompensimit si dhe i kemi faktet, I kemi provat me të cilat shihet që investimet kanë ndodhur, përveç provave në letër, janë edhe provat fizike… Ne realisht mendojmë që fundi I gushtit këtë çështje do ta gjejë në arbitrazh”, ka thënë Vokshi.

Ndërsa, Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP), Petrit Gashi ka thënë se rasti me kompaninë “Iming” është specifik dhe janë të njoftuar se do të kërkohet drejtësia për minierën e Goleshit në Arbitrazh, por thotë se do ta mbrojnë kontestin edhe në këtë gjykatë ndërkombëtare.

Kreu i AKP-së beson se nuk do të humbasin dhjetëra milionë, por do ta fitojnë të drejtën e AKP-së.

Gashi: Ne do të mbrohemi në arbitrazh

“Për rastin specifik, e kemi marr një paralajmërim që do të ndodhë diçka e tillë. Është një rast që është përmbyllur qe sa kohë. Unë t’ju them të drejtën nuk kam ndonjë qëndrim, është qëndrim i palës këtu. Ne kemi kryer procesin për vendimin në lidhje me Goleshin, ka tejkaluar krejt hallkat në sistemin ligjor të vendit tonë, kështu që çfarë mendon ose çfarë planifikon pala, unë nuk mund të gjykoj as nuk mund të komentoj, por si do që të jetë ne çfarë do forme që na kërkohet prej nesh të mbrojmë rastin, jemi në gjendjen me mbrojt asetin… Unë po gjykoj se ne jemi në anën e drejtë, kështu që nuk do të na kushtoj kjo punë hiq, por po shpresoj se nuk nisë proces kush në këtë”, ka thënë Gashi.

Përfaqësuesi i autorizuar i kompanisë “Iming” i ka dërguar një shkresë Agjencisë Kosovare të Privatizimit më datën 10 korrik të këtij viti, ku i ka treguar pretendimet për intencën për të iniciuar procedurën e arbitrazhit, megjithatë AKP ka qenë e obliguar që brenda 15 ditëve të kthej përgjigje, mirëpo AKP fare nuk ka kthyer përgjigje, andaj, sipas avokatit Vokshi  janë plotësuar të gjitha kushtet në bazë të marrëveshjes së zotimeve që të iniciohet procedura e arbitrazhit.

Avokati Granit Vokshi i cili është përfaqësues i autorizuar nga kompania “Iming”  ka treguar shkurtimisht historikun për MIM Goleshin:

Më datën 23 tetor të vitit 2014, Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që ta ushtrojë kthimin e aksioneve të kompanisë IMING nga blerësi, kompania “Iming” , kompani kjo kroate e cila ka ardhur në Kosovë që të investojë në minierat e Kosovës.

Gjithnjë sipas avokatit, arsyetimi i AKP-së për kthimin e aksioneve, ishte se kompania kinse nuk i ka plotësuar marrëveshjen e zotimeve, konkretisht zotimin për punësim dhe zotimin për investime, ngase sipas AKP-së kompania nuk e kishte arritur as 10 apo 20 përqind të investimeve të parapara në kontratë.

Vokshi thotë se përkundër faktit se nga vet Agjencia Kosovare e Privatizimit ishte angazhuar një kompani e vlerësimit të aseteve, e cila ka vërtetuar se kompania në fjalë i kishte investuar më shumë se 13 milionë euro që nënkupton afër 90 përqind apo edhe më shumë të investimeve të parapara me kontratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat