Propozohet që tri rrugë të Drenasit të bartin emrat e Demaçit, Vokrrit dhe Lumit

Kosova

Propozohet që tri rrugë të Drenasit të bartin emrat e Demaçit, Vokrrit dhe Lumit

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 09:14
Adem Demaçi, Fadil Vokrri dhe Bekim Lumi

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në mbledhjen e radhës të komunës ka bërë të ditur se do të propozojë që tri rrugë të bartin emrin e tri personaliteteve që së fundi kanë ndërruar jetë, Adem Demaçi, Fadil Vokrri dhe Bekim Lumi.

Lladrovci ka thënë edhe nga një shpjegim për secilën nga këto rrugë dhe simbolikën e emrave të këtyre personaliteteve.

Ai ka shtuar se pret që Komisioni të vlerësoj këto propozime, duke emërtuar tri rrugë për ta bërë Drenasin më të pasur me emra personalitetesh që kanë kontribuar për vendin dhe kombin tonë.

Kështu ka arsyetuar propozimin e tij Lladrovci:

“Rruga Adem Demaçi”, do të jetë rruga që përjetëson dhe lartëson Bacën Adem në qytetin tonë, duke e bërë pjesë të jetës tonë, kujtesës dhe nderimit të përjetshëm për të. Me veprimtarinë e tij patriotike, si asnjë tjetër në historinë tonë, mbi 6 dekada, Baca Adem, ishte ndërgjegjja dhe boshti kurrizor i rezistencës, qëndresës dhe krenarisë tonë, përball okupatorit shekullor. Rruga e tij, u njëjtësua me rrugën e popullit tonë për çlirim, liri dhe barazi.

“Rruga Fadil Vokrri”, do të jetë rruga tjetër në komunën tonë që do të nderoj jo vetëm futbollistin me nam, por edhe krenarinë tonë në ndërkombëtarizimin e sportit më të popullarizuar në botë. Ai do të udhëheq me sukses pranimin e përfaqësueses së Kosovës në UEFA dhe FIFA, duke e bërë Kosovën për herë të parë, të barabartë me shtet tjera në botë në gara të futbollit, popullarizimin e sportit dhe armatës së sportdashësve.

“Rruga Bekim Lumi”, do të jetë rruga tjetër e propozuar, që do të përjetësojë jetën dhe veprën e Bekim Lumit në skenën teatrore, të regjisë së dramave, të papara ndër ne, duke përcjell mesazhin me cilësi të jashtëzakonshme. Ai, me jetën e tij, veprën dhe personalitetin e tij, bëri që të jetë i paharrueshëm emri i tij, jo vetëm në teatër por edhe si profesor, pedagog dhe personalitet i çmuar i artit që tejkalon kufijtë e kombit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat