Nesër mbushen 20 vjet nga rënia e dëshmorëve Adem dhe Hajriz Morina

Kosova

Nesër mbushen 20 vjet nga rënia e dëshmorëve Adem dhe Hajriz Morina

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 15:24
Adem dhe Hajriz Morina

Nesër bëhen 20 vjet nga rënia në altarin e lirisë, të dëshmorëve Hajriz dhe Adem Morina, nga Drenoci i Malishevës.

Në orët e pasditës së 24 gushtit 1998 këta dëshmorë në një fushë mes fshatrave Drenoc e Carrallukë u sulmuan me artileri të rëndë nga forcat serbe të pozicionuara te “Shupa” e Carrallukës. Me këtë rast ishin vrarë dëshmorët Hajriz dhe Adem Morina si dhe një qytetar nga Vërmica, ndërkaq lëndime e djegie kishin pësuar shoqëruesit e tyre Mustafë Krasniqi dhe Habib Krasniqi nga Drenoci.

Dëshmorët Hajriz dhe Adem Morina që si pjestarë të UÇK-së po e siguronin konvojin e ushqimeve për popullatën, ishin veprimtar të përkushtuar të çështjes kombëtare edhe para se të fillonte lufta për liri, e drejtuar nga UÇK-ja.

Në kujtim të jetës dhe veprës së tyre, nesër, e premte, 24 gusht, mbahet një Akademi Përkujtimore, në Shtëpinë e Kulturës, “Tahir Sinani”, në Malishevë, në ora 11:00.

Paraprakisht, në ora 10:00 do të bëhen homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve në Malishevë.

Më poshtë mund të lexoni një biografi të shkurtër mbi jetën dhe veprën e dëshmorëve Morina:

ADEM MORINA

Adem Morina u lind më 04.07.1958 në Drenoc të Malishevës. Si nxënës i fillores tregoi sukses mjaft të mirë. Dëshira e tij ishte që të vazhdojë shkollimin e mëtejmë dhe përkundër vështirësive ekonomike që kishte familja e tij, ai u regjistrua në Qendrën Shkollore në Kijevë, të cilën e kreu po ashtu me sukses të mirë. Mësuesi Adem qysh si nxënës i fillores dhe gjatë kohës sa ishte në shkollën e mesme u mor me leximin e shumë librave, të cilat e mbrujtën tek ai ndjenjën kombëtare dhe të atdhedashurisë. Mësuesi Adem Morina shkollimin e tij e vazhdoi duke u regjistruar ne shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizeren, të cilën e kreu në afatin e caktuar.

Qysh nga mosha rinore Ademi e kishte në shpirt profesionin e mësuesit. Kjo dëshirë iu realizua, dhe ai punoi në shumë shkolla të Llapushës dhe më vonë u sistemua në shkollën fillore “Bajram Curri” të fshatit të tij. U dallua si edukator i mirë, duke i edukuar brezat e rinj me ndjenja të larta të atdhedashurisë, bujarisë e krenarisë kombëtare. Mësuesi Adem Morina rrjedhë nga një familje që për traditë kishte bujarinë dhe dashurinë ndaj atdheut. Keto virtyte mësuesit Adem i dhanë frymëzim për tu përballur me pushtuesin shekullor sllav. Gjatë shkollimit të tij u dallua si pjesëmarrës dhe organizator i shumë protestave dhe demonstratave të vitit 1981, duke i vazhduar ato deri në vitin 1997. Gjatë viteve të 90 ta, mësuesi Adem u angazhua edhe në aksionin gjithkombëtar për pajtimin e gjaqëve dhe ngatërresave.

Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mënyrë publike, mësuesin Adem vital dhe përplotë vullnet e gëzoi pa masë, duke i dhënë atij frymëzim dhe krenari. Ndër të parët e fshatit të tij u rreshtua në radhët e UÇK-së, ku thoshte: “Liria e Kosovës është e sigurtë, pasi tani kemi Ushtrin tonë”!

Në qershor të vitit 1998 u kyq në Njësitin “ÇELIKU” 5. Gjatë kësaj kohe mësuesi Adem u dallua sidomos ne inkuadrimin e të rinjëve në radhët e UÇK-së. Një meritë e veqantë e ka pasur edhe për organizimin e vullnetarëve për të shkuar e sjellur armatim nga shteti Amë.

Mësuesi Adem Morina me tërë qenien e tij ishte vënë në shërbim të popullit dhe të atdheut. Më 24 gusht të vitit 1998, ai bashkë me luftëtarin e pandashëm, Hajriz Morinen, Mustafë Krasniqin e shumë shokë të tjerë, ishin duke sjellur ushqim për bashkëfshatarët e tyre. Mirepo, armiku nga pozicionet e tij, me mjetet e rënda luftarake që i kishte në dispozicion sulmoi në drejtim të atdhedashësve. Aty ra në altarin e lirisë mësuesi Adem Morina e Hajriz Morina. Tani eshtrat e tij prehen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Malishevë. Adem Morina e fitoi pavdeksinë në momentet e konsolidimit të UÇK-së, dhe i la zbrazëtitë e mëdha ndër shokë. Por amaneti i tij ishte që Lufta Çlirimtare të vazhdohet deri në piken e fundit të gjakut shqiptarë, dhe ja që amaneti i Dëshmorëve Adem Morina, Hajriz Morina, e shumë Deshmorve tjerë u bë realitet.

HAJRIZ MORINA 

Hajriz Haxhi Morina ishte i lindur më 31.07.1973 në Drenoc të Malishevës. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje në shkollën fillore “Bajram Curri” me sukses të shkëlqyer, pastaj gjimnazin në Malishevë në shkollën “Abdyl Frashëri” po me sukses të shkëlqyer. Mësimdhënësit mbajnë kujtime të mira për Hajrizin, gjithmonë aktiv në kërkim të dijës për zhvillimin e njohurive të reja. Pastaj regjistron fakultetin e bujqësisë në Prishtinë. Duke qenë zhvillimet politike në vendin tone jo stabile dhe me tensione ai nuk ndejti duarkryq, por ishte aktiv që në moshë të re nëpër protesta të fillimit të viteve 90-ta, e në vazhdimësi si i ri me aktivet lokale në interes të çështjes kombëtare. Duke vijuar studimet në Prishtinë, në skenë kishte dalë UÇK-ja dhe ai priti momentet e inkuadrimit sa më shpejtë në radhet e Çlirimtarëve. Dhe pas formimit të njësitit ,,Çeliku” 5 në fshatin Drenoc ju bashkua menjëherë, dhe që në nisjen e parë në shtetin Amë-Shqipërinë për furnizim me armatim “Çeliku”-5, ai u nis dhe gjatë rrugës në Shqipëri e gjatë kthimit nga Shqipëria shokët e kujtojnë si besnik, bashkëpunues e i gatshëm për çdo sfidë. Pas kthimit nga Shqipëria veprimtarinë ushtarake e zhvilloj në fshat, e aty ku ishin kërkesat për të intervenuar, dhe gjithëherë duke respektuar hierarkinë ushtarake.

Më 24 gusht të vitit 1998, rreth ores 17:00 ai bashkë me luftëtarin e pandashëm mësuesin Adem Morina, e shumë shokë tjerë, ishin duke sjellur ushqim për bashkëfshatarët e tyre. Mirepo, armiku i pozicionuar në Carrallukë me mjetet e rënda luftarake që i kishte në dispozicion hapi zjarr në vendin e quajtur Rrafsh-Drenovc, afër Carrallukës në një vend tejet të papërshtatshëm për atdhedashësit. Aty ra në altarin e lirisë Hajriz Morina e Adem Morina.

Hajrizi me mësuesin e tij Adem Morina u varrosen ne varrezat e fsh Drenoc me dt. 25.08.2017 ne orët e hershme te mëngjesit. Në muajin maj te vitit 2002 trupat e dy dëshmoreve u rivarrosen në Varrezat e dëshmoreve të UÇK-së në Malishevë.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat