Përfundon me sukses programi KEDS Kids Academy

Kosova

Përfundon me sukses programi KEDS Kids Academy

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 16:49
KEDS Kids Academy

Rreth 150 fëmijë kanë përfunduar mësimet në kursin KEDS Kids Academy. Ky projekt është zhvilluar nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike, KEDS.

Në kuadër të projektit janë trajnuar fëmijët 7 deri në 10 vjeç të punëtorëve të KEDS të Distriktit të Prishtinës.

Ligjëratat janë ndarë në disa grupe dhe janë zhvilluar gjatë muajve korrik dhe gusht, në kohën kur fëmijët janë në pushime verore.  

Fëmijët kanë mësuar si të programojnë, si të dizajnojnë çarqe dhe të montojnë pajisje elektronike.

Ata përmes ligjëratave dhe ushtrimeve po ashtu mësuan si funksionon Arduino, që është një platformë e cila përdoret për ndërtimin e projekteve në elektronike dhe robotikë.

Drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Arifaj, ka thënë fëmijët që kanë marrë pjesë në këtë program kanë treguar interesim mjaft te madh që të marrin njohuri të reja në këtë fushë.

“Fëmijët e kanë shfrytëzuar pushimin e verës që të marrin mësime bazike në fushën e elektronikës dhe robotikës, dhe duket se ata e pëlqyen shumë këtë program,” ka thënë Arifaj.

“KEDS është krenar që pati rastin të punojë më këta fëmijë të talentuar”, ka shtuar ajo.

Fëmijët kanë vizituar edhe laboratorët e KEDS, dhe nga afër mësuan se si funksionojnë njehsorët elektrik.

Më vonë, ky trajnim synon të zgjerohet edhe për fëmijët e punëtorëve të distrikteve të tjera, me synim që të shndërrohet në një program falas për të gjithë fëmijët e Kosovës.

Përkrahja e komunitetit në fushën e edukimit mbetet angazhim i përhershëm i KEDS, i filluar që nga koha kur kompania kishte nisur operimet, përmes programit të KEDS Academy.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat