Përkujtohen 11 martirët e familjes Asllani

Kosova

Përkujtohen 11 martirët e familjes Asllani

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 13:39
Të pranishmit bënë homazhe në varrezat e martirëve

Me homazhe dhe një orë përkujtimore janë përkujtuar 11 martirët e familjes Asllani nga fshati Rancë, i komunës së Shtimes.

Në 20 vjetorin e vrasjes së tyre nga forcat serbe, deputeti Haxhi Shala tha se dëshmorët janë vlera e vendit dhe të gjithë duhet të bashkohen rreth këtyre vlerave.

Shala: Ranca – baza e parë e UÇK-së 

“Muaji gusht njihet si muaji i sakrificës të këtij populli. Kemi jashtëzakonisht ngjarje të mëdha që kanë ndodhë në këtë muaj sepse në muajin gusht në ’98-ën armiku ka menduar se duhet t’i shkatërroj disa baza të UÇK-së, disa qerdhe të bashkëluftëtarëve tonë. E një ndër qerdhet ose një ndër fshatrat kryesore të asaj kohe ka qenë edhe Ranca, e nuk duhet të befasohemi pse armiku gjeti Rancën që të bejë këtë masakër. Fatin e ka pas familja Asllani, e cila ka qëndruar këtu dhe në atë kohë armiku ka mëndu se duke masakruar, duke përfunduar me Kleçkën, famjen e Ismet Jasharit në atë kohë, duhet të vazhdohet edhe me Rancën e Neredimën sepse ai ka pas informacione të sakta se Ranca ka qenë baza e parë e UÇK-së në këtë pjesë dhe nga këtu u shtri UÇK-ja drejt Neredimës”, tha ai.

Ndërsa nënkryetari i komunës së Shtimes, Rrahman Jakupi tha se është e pamundur të thuhet mjaftueshëm për këtë familje. Si formë për t’i nderuar të rënët për liri, ai tha se është ndërtimi i kombit e zhvillimi i vendit.

Jakupi: Janë emëruar rrugë e institucione në emër të familjes Asllani 

“ Për shkak të vlerës të madhe që ka familja Asllani, çkado që bëjmë nuk është e mjaftueshme, por duke u bazuar në këtë dhe duke nderuar familjen Asllani, ne si institucion i komunës së Shtimes jemi mundu që me disa vendime institucionale të marrura, kemi emërtuar rrugë me emrin e familjes Asllani, kemi emërtu institucione në emër të familjes, në mënyrë që familja Asllani në histori të mbetet gjithmonë e kujtuar. Ndërsa në kuadër të investimeve që jemi duke i bërë në komplekset për dëshmorë, për martirët, ne do të investojmë edhe në fshantin Rancë pikërisht këtu në kompleksin që jemi duke e shënuar këtë ditë”, tha ai.

Përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta, Muhamed Bilalli, tha se kjo familje me gjakun e tyre, ndër ta një plak 100 vjeçar dhe një fëmijë 1 vjeçar, u bë pjesë e lirisë që e gëzojmë sot.

Bilalli: Familja Asllani pjesë e lirisë sonë

“I përkujtojmë sepse me gjakun e tyre ata janë bërë pjesë e lirisë që e gëzojmë sot, liri për të cilën Kosova kishte derdhur gjak aq shumë, për më shumë se 1 shekull. Pra duhej edhe gjaku i familjes Asllani nga plaku 100 vjeçar te fëmija 1 vjeçar që liria të vinte në këtë pjesë të tokës tonë. Të gjithë të rënët në fushën e nderit të kësaj lirie, të gjithë të vrarët e luftës së lavdishme të UÇK-së janë bërë pjesë e lirisë sonë, janë bërë pjesë në kuptimin e plotë të fjalës liri”, tha ai.

Në emër të familjes, veterani Isak Asllani përshëndeti të pranishmit duke thënë se me ta do të jetë gjithmonë e më i fortë.

Para fillimit të manifestimit, të pranishmit bënë homazhe në varrezat e martirëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat