Përkujtohet mësuesi hero

Kosova

Përkujtohet mësuesi hero

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 15:36
Përkujtohet Ismet Rrahmani në Açarevë të Skenderajt

Është përkujtuar sot dëshmori Ismet Rrahmani në Açarevë të Skenderajt, kontributi i të cilit u çmua lart nga përfaqësues shtetëror e bashkëluftëtarë të luftës.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, vlerësoi lart veprën e Rrahmanit, duke thënë se e madhështia e veprimtarisë së tij, bëri që populli ta kujtojë atë përgjithmonë.

Mbase duke aluduar në biografinë e presidentit Hashim Thaçi, Sejdiu bëri një krahasim.

Sejdiu: Mjerë ai që kërkon t'i shkruhet biografi, lum ai që biografinë ia shkruan populli

"Është borxh për secilin prej nesh që Kosova të jetë e dashur për njerëzit e vet, që Kosova të ketë mundësi që të kujtojë fuqishëm secilin nga të rënët, dhe secili e meriton kujdesin e vet. Mjerë ai që kërkon t'i bëhet ceremoni, lum ai që popullit i bie në mend për të. Mjerë ai që kërkon t'i bëhet biografi, lum ai që biografinë ia shkruan, thjesht populli dhe kujtesa e tij dhe dokumentet që flasin", u shpreh ai.

Ai me këtë rast porositi që qytetarët e Kosovës të punojnë, të qëndrojnë në rrugëtimin e mirë në demokraci, në mënyrë që amanetin e të rënëve ta çojnë në vend.  

Në emër të kryetarit të komunës së Skenderajt, me një fjalë rasti u paraqit drejtori i Financave, Mehmet Berisha, i cili vlerësoi lart kontributin e dëshmorit Ismet Hamit Rrahmani.

Berisha: Po bëjmë të pamundshmen që amaneti i gjithë dëshmorëve të shkojë në vend

"Ju siguroj se në programin e punës të kryetarit të komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe stafit të tij, jemi duke punuar dhe po bëjmë të pamundshmen që amaneti i gjithë dëshmorëve të shkojë në vend", u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se figura e ndritur e Ismet Rrahmanit ishte dhe do të mbetet

Elezaj: La vepër për brezat që vijnë

"Sot kur kujtojmë këtë mësues-hero, përpos dhembjes që kemi, njëherësh kemi edhe një ndjenjë të krenarisë për personalitetin e tij, veprën e tij që ka lënë pas brezave që vijnë", tha ai.

Akademik Frashër Demaj, tha se Ismet Rrahmani ka lënë gjurmë të përjetshme në historinë kombëtare. Ndërsa kujtoi edhe 27 gushtin e vitit 1998, kur edhe u vra në pritën që ia kishin zënë forcat serbe.

Demaj: Ismet Rrahmani u vra duke i bërë nder dhe roje atdheut

"Ismeti u vra në përpjekjet dhe në misionin e tij të shenjtë, duke i bërë nder dhe roje atdheut ashtu siç i ka hije luftëtarit të lirisë, ashtu siç kanë bërë figurat dhe luftëtarët më të shquar të kombit shqiptar në breza, që nuk kanë kursyer as jetën e tyre në luftë për çlirim e perspektivë kombëtare", theksoi Demaj.

Në emër të familjes, vëllai i dëshmorit, Destan Rrahmani falënderoi të pranishmit, derisa pati një kërkesë për  institucionet e Kosovës.

Rrahmani: Institucionet tona na e kanë borxh

"Institucionet tona na e kanë borxh me hap vende të reja të punës, me rregullu infrastrukturën sepse kemi mbetur një vend shumë i anashkaluar, sidomos ky fshat ka dhënë një histori të veten", është shprehur Rrahmani.

Edhe bashkëluftëtari i dëshmorit, Fadil Shabani tha se institucionet e vendit mund të bëjnë më shumë, që Kosova të ketë ditë edhe më të mira se këto në të cilat aktualisht është.

Në emër të Brigadës 211- të, Isa Xhemajlaj kujtoi disa nga momentet e luftës, ku vëmendje të madhe i dha pikërisht Isa Rrahmanit, sakrifica e të cilit obligon shqiptarët që gjithmonë t'i përgjigjen pozitivisht mbrojtjes së atdheut.

Me këtë rast, të pranishmit bëmë vizita edhe tek kulla e Ismet Rrahmanit dhe tek varri i tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat