Komuna e Malishevës dyshon se mbetjet organike të pularisë shkaktuan ngordhjen e peshqve në lumin Mirusha

Kosova

Komuna e Malishevës dyshon se mbetjet organike të pularisë shkaktuan ngordhjen e peshqve në lumin Mirusha

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 13:15
Ngordhja e peshqve në lumin Mirusha

Komuna e Malishevës pretendon se shkaktari i ngordhjes së peshqve në lumin Mirusha janë mbetjet organike të një pularie, të cilat janë hedhur në lumë e që kanë shkaktuar mungesë të oksigjenit në rrjedhën e ujit.

Zyrtari për informim nga Komuna e Malishevës, Artan Paçarizi, tha se ende nuk dihet shkaku i ngordhjes së peshqve në lumin Mirusha sipas analizave të Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por Komuna e Malishevës dyshohet se mbetjet organike të një pularie kanë shkaktuar atë.

“Ne ende nuk e dimë saktësisht shkakun, por bazuar në deklaratat e pronarit të pularisë, dhe dëshmitë tjera, përfshi raportin e laboratorit të AUV, se nuk janë gjetur materie toksike, dhe bazuar në video incizimet e peshqve në lum, besojmë që ngordhja masive e peshkut, ka ardhur si pasojë e derdhjes së mbetjeve organike në lumë, që ka shkaktuar mungesë të oksigjenit në rrjedhën e ujit”, ka thënë Paçarizi.

Kallxo ka kontaktuar edhe me zyrtarin për informim në AUV, Lamir Thaçi, i cili tha se analizat e kryera pas kërkesës së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe pas pranimit të mostrave të peshkut nga Komuna e Malishevës analizat rezultojnë negative.

“Mostra e peshkut të ngordhur është pranuar me datë: 26.07.2018 dhe është testuar në një grup të substancave (Komponimet aromatike policiklike (PAH) dhe pesticidet organokloruret ) nga rezultatet e dala nga laboratori kemi konkluduar se parametrat e testuar kanë rezultuar negativ gjë qe nënkupton se këto elemente nuk kanë qenë shkaktar i ngordhjes se peshqve”, ka thënë Thaçi.

Po ashtu Thaçi ka thënë se këto analiza janë kryer brenda kapaciteteve që i ka AUV dhe LUV dhe se analizat e ujërave të lumit Mirusha nuk janë në mandatin e tyre.

“Meqenëse ujërat e lumenjve nuk janë ne mandatin tonë të kontrollit nuk mund të japim ndonjë përgjigje tjetër. Autoritete kompetente mund të hulumtojnë parametra tjerë për të cilët ne nuk kemi mundësi teknike  dhe metoda të zhvilluara për ti mbështetur. Brenda mundësive qe kemi pasur ne kemi shprehur gatishmërinë dhe i kemi mbështetur” ka shtuar Thaçi.

Por, nga Komuna e Malishevës kanë thënë se laboratori nuk ka sqaruar shkakun e ngordhjes së peshqve dhe është i dyshimtë.

“Laboratori nuk e ka sqaruar shkakun e ngordhjes masive të peshqve, dhe rrjedhimisht ky raport i laboratorit të AUV, mund të interpretohet në dy forma, apo ka lënë derën hapur për dyshime se peshqit kanë ngordhur si pasojë e asfiksimit nga mungesa e oksigjenit në ujë, e që dyshohet se mbetjet organike të pulave, e kanë shkaktuar këtë mungesë të oksigjenit, pasi në pjesën ku ka filluar të ngordhin peshqit, janë hedhur në apo afër lumit, mbetjet organike të një pularie” ka thënë Paçarizi.

Komuna e Malishevës ka kërkuar të hetohen organet gjegjëse dhe të gjendet shkaktari i ngordhjes masive të peshqve. Në pamundësi të komunës për analiza të tjera.

“Kemi kërkuar hetimin e rastit nga organet gjegjëse, përfshi Hidroregjionin jugor, njësia në Malishevë, që ka bërë pastrimin e gropës septike të asaj pularie dhe laboratorin e Agjencisë së ushqimit dhe Veterinës, për mos publikim të shkaktarit të ngordhjes së peshqve” ka thënë Paçarizi.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një komunikate ka thënë se uji nuk ka qenë shkaktar i ngordhjes së peshqve.

Kurse pronari i pularisë, Osman Telaku i kontaktuar nga Kallxo tha se tashmë ka dhënë deklaratë në polici për këtë çështje dhe nuk dëshiron të përsëritet pasi deklarata e tij është e njëjtë me atë që i ka dhënë policisë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat