PDK-së në Drenas i ndërpritet furnizimi me ujë shkaku i borxhit, Drenori nis aksion ‘humanitar’

Kosova

PDK-së në Drenas i ndërpritet furnizimi me ujë shkaku i borxhit, Drenori nis aksion ‘humanitar’

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 21:49
PDK-ja në Drenas

Ish-kandidati për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori, ka filluar një aksion simbolik që të mbledhë të holla nga qytetarët e Drenasit, për të paguar borxhin që i ka mbetur Dega e PDK-së në Drenas ujësjellësit “KRU Prishtina”, korporatës energjetike KEDS dhe ndërmarrjeve tjera shërbyese.

E për këtë çështje nënkryetari i kësaj dege thotë se janë të vetëdijshëm për borxhet që kanë por thotë se nuk ka informacion se kur do të paguhen ato.

Drenori përmes një publikimi në Facebook, ka shkruar se ajo zyrë ishte uzurpim klasik nga kjo parti.

Këtë pronë, sipas tij, dega e PDK-së në Drenas u detyrua ta lirojë si pasojë e presionit publik dhe hetimeve nga prokuroria, por siç tregon ai borxhet e këtij objekti janë lënë pa paguar.

Ai madje ka publikuar edhe disa fotografi nga gjendja aktuale e kësaj prone dhe mbishkrimi që i kanë vënë para kësaj zyre.

Ndërsa, nënkryetari i degës së PDK-së në Drenas, Milaim Hajdari tha për kallxo se janë të njoftuar për obligimet që kanë ndaj atyre institucioneve mirëpo, siç thotë ai të gjitha borxhet do të paguhen por nuk mund të japë ndonjë afat kohor.

“Është e vërtetë por nuk kam ndonjë informacion sepse nuk kam kryer punë të tillë. Jam nënkryetar i degës por nuk kam ndonjë informacion, e di që kemi telash me atë objekt dhe ato që s’janë paguar kanë me u pagu. Jemi të vetëdijshëm për ato obligime që duhet me u kry karshi institucioneve që i kemi borxh edhe gjithçka do të rregullohet përmes institucioneve përkatëse”, tha Hajdari.

Xhavit Drenori theksoi se kjo degë tashmë ka më shumë se një mijë euro borxhe.

Sipas tij, përveç uzurpimit të këtij objekti, kjo degë e PDK-së në Drenas nuk ka paguar asnjëherë këto shërbime.

“Informacionet që i kemi marrë vitin e kaluar kanë qenë 700 e kusur euro, e tash janë 1 mijë e kusur që si kanë pagu. Asnjë shërbim komunal nuk e kanë paguar, prona është komunale. Për mua është jashtëzakonisht shqetësuese që e kanë uzurpu, s’kanë paguar kurrë qira, që është komplet keqpërdorim i pozitës zyrtare. Po çka është më e rënda s’janë paguar as këto shërbime, për këtë arsye kam reaguar.”, tha Drenori.

Sipas Drenorit, dega e PDK-së i obligohet kompanisë së ujësjellësit 576,35 Euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat