EULEX: Të dyfishohen përpjekjet për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve

Kosova

EULEX: Të dyfishohen përpjekjet për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve

Më: 30 gusht 2018 Në ora: 12:06
Ilustrim

EULEX-i me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve ka kërkuar ngritjen e vetëdijes për gjendjen e rëndë të të pagjeturve dhe familjeve të tyre në mbarë botën, dhe duke u rizotuar për zgjidhjen e fatit të të gjithë atyre që janë të zhdukur.

Për fat të keq, pothuajse njëzet vite pas përfundimit të konfliktit të viteve 1998-1999, në listën e personave të pagjetur të Kosovës ende figurojnë edhe 1648 emra. Dhimbja dhe vuajtjet e familjeve dhe miqve të viktimave është tejet e rëndë.     

EULEX-i ka bërë të ditur se për një kohë të gjatë i ka ofruar asistencë teknike Institutit të Kosovës për Mjekësi Ligjore përmes ekipit të ekspertëve forenzikë për gjetjen, identifikimin dhe kthimin e mbetjeve mortore të të pagjeturve tek familjet e tyre. 

“Duke qenë se EULEX-i është duke i dorëzuar përgjegjësitë kyçe në fushën e sundimit të ligjit tek institucionet relevante të Kosovës në pajtim me mandatin e tij të ri të rikonfiguruar – që përfshinë edhe punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore – është e domosdoshme që autoritetet e vendit të tregojnë zotim të vërtetë dhe t’i dyfishojnë përpjekjet për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve”, tha shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou.   

Në kuadër të mandatit të ri, EULEX-i vazhdon të ketë kapacitete forenzike të specializuara. 

“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë t’iu ofrojmë ekspertizë të këtij lloji homologëve tonë nga Kosova kurdo që nevojitet dhe kërkohet”, tha Papadopoulou.

Ndryshe, që nga viti 2008, EULEX-i ka kryer 609 operacione në teren me qëllim të identifikimit dhe ndërlidhjes së mbetjeve mortore, përfshirë 153 zhvarrime.

Mbetjet mortore të 440 individëve janë identifikuar, 307 prej të cilëve ishin persona të pagjetur. 506 mbetje mortore u janë kthyer familjeve të tyre. EULEX-i po ashtu ka mundësuar analizat e ADN-së për 2261 mostra të eshtrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat