Në dy shkolla të Fushë Kosovës mësimi nis me protesta

Kosova

Në dy shkolla të Fushë Kosovës mësimi nis me protesta

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 17:04
Fushë Kosovë

Në shkollat fillore “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë procesi mësimor sot ka nisur me protesta.

Krejt kjo pasi që prindërit e kanë kundërshtuar  zhvendosjen  e rreth 1200  nxënësve të paraleleve gjashtë deri në nëntë nga shkolla “Mihal Grameno” në shkollën “Daut Bogujevci”.

I shqetësuar për vajzën e tij e cila tani e tutje do të  udhëtojë çdo ditë rreth 2 kilometra është Lulzim Hoti i cili thotë ky vendim është i gabuar.

Ai thotë se trafiku i dendur në rrugët e Fushës-Kosovë e bënë edhe më të rrezikshëm udhëtimin e fëmijëve nga shtëpitë e tyre deri në shkollën “Daut Bogujevci”, prandaj prindërit do të detyrohen që vet t’i sjellin fëmijët në shkollë.

Hoti: Distanca shumë e madhe është shqetësim për ne prindërit

“Po është shqetësim sepse është një distancë shumë e madhe marrë parasysh edhe trafikun shumë të dendur që është, nuk ka ndonjë siguri për kalimtar sidomos për fëmijët që nuk janë të kujdesshëm, nuk dinë se si me u kujdes, për prindër është shumë shqetësim i madh ...Për momentin këtë organizim jemi duke e bërë në mënyrë personale ne si prindër, pastaj të shohim nëse do ketë ndonjë organizim së bashku me prindërit tjerë“, tha ai.

Elza Ahmeti nxënëse e klasës së nëntë shprehet e kënaqur me ambientin e ri shkollor, ndonëse shqetësim ka mënyrën e udhëtimit që tani e tutje do e bëjë çdo ditë.

Ahmeti: Pak ma vështirë do e kemi për shkak të udhëtimit

“Shumë mirë edhe pse u ndërrua ambienti është shumë vend i mirë , shkolla ishte shumë e mirë por vetëm pak larg, po më pëlqen shumë ambienti shkollor i ri...Po është pak më vështirë por duhet t’ia bëjmë disi”, ka deklaruar kjo nxënëse e shkollës “Mihal Grameno”.

Ndërsa,drejtori i shkollës fillore të mesme të ulët, “Mihal Grameno”, Ismet Gashi thotë se hapësira e pamjaftueshme që posedon kjo shkollë dhe numri i madh i nxënësve të rinj i ka obliguar që së bashku me DKA-në e kësaj komune të marrin vendimin për zhvendosjen e këtyre paraleleve.

Sipas tij nëse ndërtohet objekti i ri shkollor në lagjen “Dardania” në Fushë-Kosovë, vitin e ardhshëm nxënësit përsëri do të transferohen më afër.

Gashi: Hapësira e pamjaftueshme na ka detyruar të bëjmë këtë transfer të nxënësve

“Është rritur numri i nxënësve në këtë shkollë, dhe për këtë arsye nuk kishim hapësirë të mjaftueshme që t’i vendosim të gjithë, vitin e kaluar kemi punuar në tri ndërrime, këtë vit drejtoria komunale ka vendos që vetëm në dy ndërrime të punohet , por zgjidhja e momentit është transferi i këtyre paraleleve në shkollën e re...Atje shkojnë klasët e gjashta, shtata, teta dhe nënta , por edhe stafi i mësimdhënësve po të njëjtit kanë shkuar atje...Alternativa e vetme për momentin është kjo, nëse ministria apo ndodnjë donacion komuna mund ta shfrytëzoj atëherë objekti që është nis të ndërtohet tek lokali “Molla e Kuqe” ashtu siç e quajmë ne Atëherë vitin e ardhshëm nxënësit transferohen në objektin ku është më afër, nëse jo atëherë do të detyrohemi edhe vitin tjetër po të nj]jtën gjendje”, ka thënë Gashi.

Lidhur me sigurimin e transportit kur dihet se shkolla “Daut Bogujevci” është afër 2 kilometra më larg, drejtori i “Mihal Gramenos” thotë se kjo do jetë përgjegjësi e prindërve, pasi sipas tij për 1200 nxënës nuk mund të sigurojnë transport.

Nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë për KosovaPress kanë bërë të ditur se vitin e ardhshëm pritet të përfundojë objekti i ri shkollor në lagjen “Dardania” dhe në këtë mënyrë do të zgjidhet edhe ky problem.

Drejtori i DKA-së, Islam Shabani tha për KosovaPress se sot procesi mësimor në këtë komunë ndonëse ka nisur me protesta gjendja më vonë është stabilizuar.

Sipas tij shqetësim nuk kishte vetëm nga prindërit e nxënësve të shkollës “Mihal Grameno”, por edhe nga ata të shkollës” Daut Bogujevci” të cilët kërkonin që fëmijët e tyre të fillojnë mësimin në objektin e ri të kësaj shkolle.

Shabani: Presim që  vitin tjetër të përfundojnë punimet e shkollës së re dhe të zgjidhet ky problem

“Tenderi është në hapje sepse kemi pasur probleme rreth tenderimit, tenderi është në hapje ne presim që së shpejti do të fillon punën, faza e parë është kryer tash pritet faza e dytë,shkolla ndërtohet komplet me mjete vetanake të komunës...Presim dhe shpresojmë  shumë që ajo do jetë e gatshme për vitin e ardhshëm dhe aty mund të vendosen mbi 1 mijë nxënës çka do na lehtësoj shumë pastaj që nxënësit e asaj shkolle mos të vijnë në largësi çfarë vijnë tani në shkollën e re....Jemi në rrethana ?5fare jemi dhe nuk kemi lokal, nuk kemi hapësira tjera mësimore, ne presim që deri në vitin e ardhshëm kur të ndërtohet shkolla në lagjen “Dardania” atëherë atë pjesë të nxënësve nuk do ta bartim këtu, por do të shkojnë atje dhe mandej këtu do ketë hapësirë të mjaftueshme për nxënësit edhe të shkollës “Daut Bugujevci”, ka thënë Shabani.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi duke ia vënë përgjegjësinë për zgjedhjen e këtij problemi Drejtorisë së Arsimit në  Fushë-Kosovë tha se do ofrojnë mbështetje për të gjetur zgjidhje edhe për këtë çështje.

Bytyqi: Ne do ofrojmë mbështetje për DKA-në në Fushë-Kosovë

“Është përgjegjësi direkt e DKA-së, DKA-ja duhet të bëjë zgjidhje e cila është e favorshme për nxënësit dhe konsideroj se në bashkëpunim nëse ka nevojë për mbështetje nga ana e ministrisë ne do jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë me DKA-në për të gjetur zgjidhje. Ajo çka është problematik në Fushë-Kosovë e cila shihet ka një shtim të numrit të madh të nxënësve për shkak të ardhjeve të mëdha që po ndodhin në Fushë-Kosovë“, u shpreh Bytyqi.

Ndryshe, shkolla fillore “Mihal Grameno” ballafaqohet me numër të madh të nxënësve tash e disa vite por që zgjidhje nuk kanë ofruar deri më tani as Ministria e Arsimit dhe as DAK e kësaj komune.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat