Kurti viziton BSPK-në në 28 vjetorin e grevës së përgjithshme - Bota Sot
Kurti viziton BSPK-në në 28 vjetorin e grevës së përgjithshme

Kosova

Kurti viziton BSPK-në në 28 vjetorin e grevës së përgjithshme

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 19:21
Albin Kurti takim në BSPK

Një delegacion i Vetëvendosjes i udhëhequr nga kryetari Albin Kurti, zhvilluan sot një takim në zyrat e BSPK-së në Prishtinë, ku u priten kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, nënkryetarja, Leonora Lokaj dhe nënkryetari, Atdhe Hykolli.

Më 3 shtator 1990, BSPK-ja organizoi grevën e përgjithshme në të gjithë territorin e Kosovës për të kundërshtuar masat e dhunshme të vendosura nga regjimi i Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviçin.

Komunikata e plotë e Vetëvendosjes:

Më 3 shtator 1990, BSPK-ja organizoi Grevën e Përgjithshme në të gjithë territorin e Kosovës për të kundërshtuar masat e dhunshme të vendosura nga regjimi i Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviçin. Kërkesat e saj ishin:

1. Kthimi i punëtorëve shqiptarë të larguar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare,  2. Të mos pengohej puna e Qeverisë dhe e Kuvendit të Kosovës.

Punëtorët shqiptarë dhe BSPK-ja e kishin të qartë se çështjet socio-ekonomike janë të lidhura në mënyrë të pandashme me çështjen kombëtare shqiptare dhe se fitorja mund të arrihej vetëm duke luftuar për këto dy kauza njëkohësisht. Prandaj, punëtorët e Kosovës iu përgjigjën në mënyrë masive thirrjes për grevë. Me hap që ndërmorën ata i tronditën planet e Serbisë dhe i dhanë hov rezistencës për çlirimin e plotë të vendit.

Për ta shënuar këtë datë, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, nënkryetarja, Fatmire Kollçaku dhe sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, zhvilluan sot një takim në zyrat e BSPK-së në Prishtinë. Ata u pritën nga kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, nënkryetarja, Leonora Lokaj dhe nënkryetari, Atdhe Hykolli.

Në këtë takim Albin Kurti theksoi se Kosova që nga lufta e këtej po kalon në situatën më të rëndë sociale dhe ekonomike dhe jo rastësisht kjo periudhë po shoqërohet edhe me propozime politike tejet të rrezikshme dhe të dëmshme për Kosovën në dialogun me Serbinë. Ai përsëriti gatishmërinë e përhershme të Lëvizjes VETËVENDOSJE! si forcë social-demokrate, për të bashkëpunuar me BSPK-në në nivel lokal dhe ndërkombëtar, në përpjekjen për të drejtat e punëtorëve dhe për sigurinë në punë, duke shfrytëzuar edhe forume si Internacionalja Socialiste, ku është anëtarësuar së fundmi Lëvizja. Përfaqësuesit e BSPK-së ngritën gjithashtu shqetësimet për gjendjen ekonomike të vendit dhe për të drejtat e punëtorëve. Ata nënvizuan nevojën për rritjen e pagës minimale, gjë të cilën Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka kërkuar edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përfaqësuesit e BSPK-së folën edhe për vendimet e dis a prej federatave sindikale për të zhvilluar greva në javët në vijim, si një nga mjetet e fundit që kanë mbetur në duar të punëtorëve për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për t'i mbrojtur ato.

Kosova sot është sërish në rrezik për shkak të pushtetarëve të papërgjegjshëm. Në frymën dhe në shembullin e Grevës së Përgjithshme të 3 shtatorit të vitit 1990, punëtorët e Kosovës dhe forcat progresive në mënyrë të domosdoshme duhet t'i ndërlidhin çështjet sociale dhe ekonomike me atë kombëtare për ta shpëtuar vendin dhe për të sjellë zhvillimin.

Përfaqësuesit u pajtuan t’i vazhdojnë takimet dhe bashkëpunimin në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat