Programi për Trajnimin në Punë, një mundësi e mirë t’iu ofrohet të rinjve punësim

Kosova

Programi për Trajnimin në Punë, një mundësi e mirë t’iu ofrohet të rinjve punësim

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 16:42
Programi për Trajnimin në Punë synon të mobilizojë kompanitë në sektorin privat që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve ekonomikisht të përjashtuar dhe aftësimin e tyre profesional.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me disa nga kompanitë prodhuese për realizimin e programit të financuar nga USAID që synon të mbështesë trajnimin dhe punësimin e të rinjve.

Programi për Trajnimin në Punë synon të mobilizojë kompanitë në sektorin privat që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve ekonomikisht të përjashtuar dhe aftësimin e tyre profesional.

Kompanitë që nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit janë Reks, Flexograf, Sela Impeks dhe Dhemetra, kompani këto të cilat do të mundësojnë punën praktike e të rinjve nga komuna e Gjilanit, Kaçanikut, Vitisë dhe Hanit të Elezit.

Në përfundim të trajnimeve, pritet që disa prej përfituesve do të kenë mundësi edhe të punësohen te këto kompani prodhuese partnere të Klubit. Kandidatët do të përfitojnë nga një program trajnimi i kualifikuar dhe i strukturuar për nevojat e tregut të punës.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, gjatë takimit me përfaqësuesit e kompanive shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e këtyre kompanive që të jenë pjesë e programit.

Ndërsa, Berat Mustafa, drejtori i kompanisë Flexograf, tha se ky program është një mundësi shumë e mirë që t’iu ofrohet punë të rinjve dhe presin që më të dalluarit të vazhdojnë punën në kompani edhe pas përfundimit të programit.

Ndryshe, Klubi i Prodhuesve të Kosovës së shpejti do të njoftojë se kur do të hapen aplikimet për pranimin e kandidatëve në secilën komunë ku parashihet implementimi i programit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat