Stabilizohet furnizimi me barna në QKUK

Kosova

Stabilizohet furnizimi me barna në QKUK

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 09:10
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin se si rezultat i angazhimeve konkrete, ngritjes së përgjegjësisë në menaxhimin e parasë publike dhe vendosjen e rregullit në sektorin farmaceutik, në institucionet publike shëndetësore ka një përmirësim të vazhdueshëm të furnizimeve me barna dhe material shpenzues.

Të dhënat e fundit nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitari i Kosovës tregojnë se furnizimi me barna në këtë shërbim është mbi 70 për qind. Gjithashtu, ka një përmirësim edhe në furnizimin me material shpenzues dhe citostatikë, të cilët së fundi po blihen nga MSH me çmime ekstremisht më të ulëta se sa në të kaluarën.

Procesi i përmirësimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me barna është duke vazhduar dhe këtë e siguron edhe lidhja së fundi e shumë kontratave të reja nga ana e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për nevoja të institucioneve publike shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë, krahas sigurimit të furnizimeve të reja me çmime të volitshme dhe ndërprerjes së dukurive abuzive me buxhetin e dedikuar për barna dhe material shpenzuese, ka filluar edhe procesin e revidimit të Listës së Barnave Esenciale, me qëllim që pacientëve t’u mundësohet qasje në terapitë e reja dhe cilësore dhe në përputhje me praktikat më të mira farmaceutike.

MSH premton se do të vazhdojë ta ketë prioritet ngritjen e nivelit të furnizimit, krahas rritjes së performancës në menaxhimin e sektorit farmaceutik, në mënyrë që pacientëve t’iu sigurohet terapi e sigurt dhe njëherësh të kursehet paraja publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat