Fillon Festivali i rrushit në Rahovec

Kosova

Fillon Festivali i rrushit në Rahovec

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 15:25
Festivali i rrushit në Rahovec

Me shumë aktivitete, Rahoveci ka nisë sot festivalin e njohur të rrushit, “Hardh Fest”. Në ceremoninë e hapjes së festës së vjeljes së rrushit, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai vizitoi hapësirat ku po organizohet festivali dhe vendet ku po promovohen prodhimet e rrushit. Në këtë ceremoni Haradinajt iu nda edhe një mirënjohje me simbolin e hardhisë së rrushit.

Në ceremoninë e hapjes së HardhFest, Ramush Haradinaj foli për traditën qindravjeçare të hardhisë së rrushit, duke theksuar se ajo u ruajt shumë mirë në Rahovec.

Haradinaj: Kemi marrë një pjesë të përgjegjësisë për dëmet nga breshëri

“Vreshtarët janë dëmtuar shumë nga breshëri, janë bërë dëme të mëdha. Kemi marr një pjesë të përgjegjësisë, ndoshta jo të gjitha ato dëme që janë bërë, por një pjesë të përgjegjësive ,  lajmi i mirë është se nuk do të ndalemi dhe do të punojmë bashkë me ju që hardhia, rrushi, vera, produktet e vendit tonë të mund të gjejnë jo vetëm konsumatorin vendor në Kosovë, që është me rëndësi, të gjejnë  konsumator edhe jashtë Kosovës, sepse jam i bindur se produkte më të mira, më natyrale, e më të vërteta se sa rrushin dhe verërat e Rahovecit, nuk besoj se dikush tjetër në botë mund të jap”, tha Haradinaj.

Haradinaj theksoi se Festivali i Hardhisë po kthehet në traditë dhe është një mundësi të reflektojë në obligimet ndaj prodhuesve vendorë.

Ndërsa kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi duke përgëzuar vreshtarët për punën e tyre, tha se mbështetja e vazhdueshme për këta fermerë është garanci se po vijnë ditë të mirat për këtë sektor.

Ai tutje u shpreh se vreshtarët tani janë të preokupuar për të siguruar rritje të cilësisë së prodhimeve të tyre.

Latifi: Ditë e mira po vijnë për sektorin e vreshtarisë

“Ne e dimë mirë se çfarë duhet bërë që puna me përkushtim e këtyre njerëzve të vyeshëm e punëtor të jap rezultatet e pritura. Mbështetja e vazhdueshme e institucioneve dhe mbështetja në rritje për fermerët, bujqit, perimtarët , blegtorët është garancia se për këtë sektor ditë më të mira do të vijnë. Tashmë mund të themi se qendra e grumbullit dhe shitjes së prodhimeve bujqësore dhe punëtorit për përpunim të perimeve e pemëve po gjen treg gjithnjë e një rritje, vreshtarët tanë nuk i kanë më problemet e dikurshme për shitjen e verës dhe rakisë, por janë më të preokupuar për sigurisht për rritjen e cilësisë së prodhimeve të tyre e sigurisht edhe për prodhimin e kapaciteteve të tyre” ,u shpreh Latifi.

E kryeministrit Haradinaj në shenjë falënderimi për kontributin e tij, iu nda mirënjohje me simbolin e hardhisë së rrushit.

Në këtë ceremoni, u bë edhe shpallja e vreshtarëve dhe verëtarëve më të mirë.

HardhFest organizohet nën nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, në bashkëpunim me “Stone Castle” dhe shoqatat e vreshtarëve dhe verëtarëve, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe ajo e Diasporës.

Festivali ka filluar sot dhe zgjatë deri më 9 shtator.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat