Hoxha: Kosova ka hyrë në një fazë të re në procesin e liberalizimit të vizave

Kosova

Hoxha: Kosova ka hyrë në një fazë të re në procesin e liberalizimit të vizave

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 19:25
Dhurata Hoxha

Ministrja Hoxha ka inkurajuar ambasadorët që së bashku, të jenë të koordinuar, të paraqiten informata të unifikuara para institucioneve ndërkombëtare, të flitet me një zë, të ketë një pozicion të përbashkët dhe të raportohet objektivisht për aktivitetet lobuese dhe rezultatet e tyre.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka organizuar takim me ambasadorët e Republikës së Kosovës në vendet mike, ku Kosova ka marrëdhënie diplomatike, ku u diskutua rreth çështjes prioritare, Liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministrja Hoxha fillimisht ka falënderuar ambasadorët për punën dhe kontributin e tyre nëpër vendet pranuese, duke e vlerësuar si të stërzgjatur procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Jemi mbledhur këtu për të parë se çfarë mund të bëjmë së bashku tash e tutje deri në përmbylljen e këtij procesi. Para se të flas për hapa të mëtejmë, nuk mund të mos e përmend kontributin e Kosovës dhe qytetarëve të saj në demokratizimin e Ballkanit dhe Evropës në përgjithësi”, theksoi Ministrja Hoxha.

Pavarësimi i Kosovës ka sjellë paqe e prosperitet afatgjatë në rajon, theksoi Ministrja, sigurisht, vuri në dukje ajo, është arritur në koordinim të ngushtë mes faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

Pas deklarimit të Komisionit Evropian për përmbushje të kritereve dhe votimit të fundit në Komisionin LIBE, ceku Ministrja Dhurata Hoxha, Kosova ka hyrë në një fazë të re në procesin e liberalizimit të vizave. Për këtë arsye, potencoi Hoxha, Qeveria ka ndërmarrë hapat për të shtyrë përpara procesin, duke përgatitur koncept-propozim për fushatë vetëdijesimi dhe lobimi në lidhje me liberalizimin e vizave.

Ministrja ka inkurajuar ambasadorët që së bashku, të jenë të koordinuar, të paraqiten informata të unifikuara para institucioneve ndërkombëtare, të flitet me një zë, të ketë një pozicion të përbashkët dhe të raportohet objektivisht për aktivitetet lobuese dhe rezultatet e tyre.

Sipas Ministres Hoxha, janë paraparë takime të nivelit politik dhe teknik të institucioneve të Kosovës me homologët e vendeve të BE-së. Ajo i inkurajoi ambasadorët që të shtojnë aktivitetet në mbështetje të ekipit politik dhe teknik, për të arritur sa më shumë përmbajtje përmes aktiviteteve lobuese.

“Duhet të kemi konsistencë në këtë proces”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se procesi duhet të jetë i mirë-koordinuar mes Ministrisë për Integrim Evropian, Kabinetit të Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ambasadave tona.

Pas fjalës së Ministres Hoxha, është bërë një prezantim se cilat do të ishin pikat kryesore në takime ku do të duhej përqendruar lobimi si dhe diskutimi rreth hapave të mëtejshëm në procesin e liberalizimit të vizave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat