Buroja e Hashim Thaçit, me asfalt të shkatërruar

Kosova

Buroja e Hashim Thaçit, me asfalt të shkatërruar

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 11:55
Fshati Burojë

Rrugët që të dërgojnë te shtëpitë e familjes së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në fshatin Burojë të Skenderajt, nuk janë gjendje të mirë.

Bashkëfshatarët e Presidentit janë ankuar për gropat në rrugën ‘Smajl Rexha’ që ndodhet në hyrjen e këtij fshati.

“Rruga Skenderaj- Turiqec-Burojë, është katastrof, në gjendje shumë të keqe, të mjerueshme. Kerret po na dëmtohen për çdo ditë, qytetaret po e paguajnë me shpinë, po duhet me lek, për ditë po ka probleme me kerre, rruga është mjerim”, thotë Shyqyri Qelaj. Ai shton se nxënësit e fshatit kanë probleme për shkak se rruga nuk ka as trotuar.

Fadil Rexha një bashkëfshatar tjetër thotë se gropat e këtyre rrugëve po u shton rrezik këmbësorëve.

“Gropa ka shumë, me i kqyrë fortë s’po i kqyrinë këta të komunës. Po duhet me ju ikë prej rruge, është rrezik është për këmbësort edhe për ne shoferët”, tha Rexha për kallxo.

Para disa jave, Komuna e Skenderajt ka bërë publike në faqen zyrtare në ‘Facebook’ letren ku ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës të riparojë një pjesë të rrugës të quajtur “Të Përmendorja e Beqir Mehmetit”.

“Duke ditur që autoriteti kompetent kryesor që menaxhon me rrugët regjionale është Ministria e Infrastrukturës, kërkojmë nga autoriteti i kësaj Ministrie që të dërgojë ekipet në terren për të vlerësuar gjendjen e rrugës, njëkohësisht kërkojmë nga autoriteti i saj që brenda mundësive të merrni masa të menjëhershme për renovimin e rrugës, përkatësisht pjesëve të dëmtuara përgjatë këtij segmenti”, thuhet mes të tjerash në kërkesën drejtuar MI-së, me disa fotografi të bashkëngjitura.

Ndërsa, Argjend Zejnaj, shef i kabinetit të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesa për ndihmë për rregullim të rrugëve të kësaj ane dhe se kjo nuk është kompetence e tyre por e komunës së Skenderajt.

“Rrugët në fjalë janë kompetencë e komunës së Skenderajt dhe deri më tani Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për ndihmë në sanimin e tyre. Megjithatë, kurdo që MI do të pranojë kërkesë nga kjo komunë, është e gatshme të shqyrtojë mundësitë buxhetore për intervenim në rrugët e Burojës”, ka thënë zyra e MI-së.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat