Vitin e ardhshëm autostradat në Kosovë mund të bëhen me pagesë

Kosova

Vitin e ardhshëm autostradat në Kosovë mund të bëhen me pagesë

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 11:13
Foto ilustrim

(E plotësuar) - Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, nuk e ka përjashtuar mundësinë që vitin e ardhshëm të fillojë aplikimi i taksës rrugore për autostradat e Kosovës, ndërkohë që ende nuk dihet se cili do të jetë tarifa që do të vendoset për automjetet.

Lekaj duke kritikuar Shqipërinë për tarifat e larta që i ka vendosur për shfrytëzim në “Rrugën e Kombit”, tha se çmimet për shfrytëzim të autostradave në Kosovë do të jenë të arsyeshme dhe nuk do ta rëndojnë shumë xhepin e qytetarëve.

Lekaj: Do të mundohemi që çmimi për shfrytëzim të autostradës të jetë simbolik

“Jemi duke kryer fizibilitetin do të jemi të kujdesshëm rreth çmimit, çdo kund paguhet, por ne nuk do të ngutemi, edhe nëse fillohet vitin e ardhshëm, por e them edhe nëse fillohet do jetë një shumë simbolike vetëm sa për t’iu thënë qytetarëve që duhet të paguhet shfrytëzueshmëria e autostradave dhe e rrugëve, prandaj nuk do të shkojmë sikur Shqipëria me një çmim shumë të lartë të papërballueshëm për xhepin e qytetarëve”, ka thënë Lekaj.

Ndryshe, nga data 17 shtator ka nisur të zbatohet vendimi i autoriteteve të Shqipërisë për aplikimin e taksës rrugore në rrugë e kombit, ku çdo qytetar i cili do të kalojë në “Rrugën e Kombit” do të paguajë tarifën prej 5 euro për çdo kalim. 

Çmimi është kundërshtuar nga Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve nga Kosova, e cila ka kërkuar që taksa rrugore për autobusë të zbresë nga 10 euro në 5 euro. 

***

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka deklaruar se shfrytëzimi i autostradës me pagesë ka mundësi të bëhet vitin e ardhshëm, por që ata si Ministri janë duke shikuar fizibilitetin.

Ai u shpreh se çmimet do jenë të arsyeshme që nuk e rëndojnë shumë xhepin e qytetarëve, derisa theksoi se tarifa rrugore e vendosur nga Shqipëria për të shfrytëzuar autostradën është e lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat