Thaçi: Kur flet këshilltari për siguri kombëtare të SHBA-së, flet vet shteti

Kosova

Thaçi: Kur flet këshilltari për siguri kombëtare të SHBA-së, flet vet shteti

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 22:19
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se kur flet këshilltari për sigurinë kombëtare të SHBA-së, flet vet shteti.

“Ne e dëgjuam edhe këshilltarin për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ata që dinë vetëm pak nga politika, ata që kanë pasur përgjegjësi institucionale kudo në botë, e dinë se kur del këshilltari për sigurinë kombëtare të SHBA-së, flet vetë shteti. Besoj se janë opinione sinqerisht injorante, me shumë padituri dhe shumë tendenciozitet, të akuzohet Shtëpia e Bardhë se po i bën argat Rusisë”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Real Story të “Vizion Plusit”.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë kundër Rusisë dhe Kosova dëshiron të ketë raporte siç kanë dhe shtetet e tjera me të, mirëpo qëllimi jonë është Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe shqiptarët e Kosovës janë më pro NATO, më pro SHBA dhe më pro BE.

“Rusia ka qenë pjesë e negociatave të Rambujesë, ka qenë në Vjenë, ka pasur prani edhe në kuadër të KFOR-it. Nuk po them se tani duhet të marrë pjesë në proces, i cili i duhet Bashkimit Evropian dhe ka mbështetjen e plotë të zonjës Mogherini. Por, gjërat janë më serioze. Natyrisht shumë të ndërlikuara, por me një marrëveshje mund të thjeshtohen fare lehtë. Ndodhë njohja e ndërsjellë dhe i tërë ky proces mbyllet njëherë e përgjithmonë në historinë tonë. Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi nënkupton përfundimin e konfliktit të ngrirë, tragjedive, konflikteve, urrejtjes. Ndërsa, vazhdimi i një gjëndjeje të tillë nënkupton konflikte, probleme, stagnim për Kosovën, mosintergrim në NATO, BE ose KE, OSBE, e KB. Nëse dikush e gjen formulën sesi ne të levizim drejt NATO-s, të lëvizim të lirë drejt BE-së, pa marrëveshje me Serbinë, sesi ne të lëvizim të lirë në KE dhe në OSBE, atëherë unë sinqerisht do i duartrokisja dhe do të isha njeriu më suportiv. Vetëm ta gjejmë atë gjeni brenda kombit shqiptar, qoftë në Tiranë apo në Prishtinë”, ka ironizuar Thaçi.

Sipas tij, Kosova deri këtu ka ardhur me kompromise, që do të thotë se e ka fituar lirinë me kompromise dhe tashmë nëse më pyet nëse Serbia do të pajtohet, “sigurisht se do të ketë kompromis, por cili do të jetë ai është ende herët që të flitet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat