Veseli premton përkrahje të fuqishme për investitorët e ri në Kosovë

Kosova

Veseli premton përkrahje të fuqishme për investitorët e ri në Kosovë

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 16:16
Foto nga takimi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një vizite që i bëri sot ‘Ferronikelit’ në Drenas, theksoi rëndësinë e kësaj kompanie jo vetëm për Komunën e Drenasit dhe për impaktin në krijimin e mirëqenies së qindra punëtorëve të këtij rajoni, por edhe për tërë Kosovën.

Veseli tha se tashmë në ‘Ferronikel’ është një investitor serioz, i cili në një afat rekord ka arritur të riaktivizojë prodhimin dhe t’i paguajë pagesat e punëtorëve, të cilët mbajnë afër një mijë familje.

“Institucionet e Kosovës do t’u japin përkrahje të vazhdueshme investitorëve. Kemi projektligjin e ri në shqyrtim, i cili do t’u japë perspektivë edhe më të madhe atyre. Janë burime të cilat presin, sikurse krenaria e Kosovës, Trepça, e cila me ligjin e ri do të ketë një transformim dhe do të ndikojë në rritjen e eksportit, të ekonomisë kosovare, punësimit dhe të perspektivës së Kosovës”, tha ai.

Veseli tha se përkrahja për të gjithë investitorët që investojnë në Kosovë do të jetë e plotë, ndërsa investitorin e ri të ‘Ferronikelit’, e konsideroi njërin nga investitorët më të mëdhenj në hapësirat shqiptare dhe më tej.

“Të gjithë janë të kënaqur që fabrika e ‘Ferronikelit’ është rikthyer në punë me kapacitet të plotë të prodhimit, si dhe me investimet e bëra nga investitori i ri, Grupi Balfin. Institucionet tona do të vazhdojnë të japin përkrahje të fuqishme në zgjerimin e kapaciteteve operative dhe prodhuese të kësaj fabrike”, theksoi Veseli.

Pronari i ri i ‘Ferronikelit’, Samir Mane, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për vizitën dhe mbështetjen e tij, duke thënë se Grupi Balfin do të vazhdojë t’i japë përkrahje të fuqishme kompanisë së sapo zotëruar prej tij.

“Do të ofroj përkrahje të plotë për ‘Ferronikelin’, për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimin e afërt me komunitetin e saj”, tha Mane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat